PRISHTINË, 17 Dhjetor/ATSH/.-Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, theksoi sot se e ka parasysh situatën e rëndë ekonomike të Kosovës, por Gjermania, sikurse edhe vendet e tjera të BE-së, së bashku me qeveritë e tyre do të punojmë së bashku me Qeverinë e Kosovës në mbështetjen për hapjen e vendeve të reja të punës, për një perspektivë për kosovarët që të mos e lëshojnë vendin tyre.
Ndërsa ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, tha se migrimi ilegal i kosovarëve e vështirëson procesin e liberalizimit të vizave. Sipas tij, të vetmit që përfitojnë nga kjo situatë është krimi i organizuar dhe bandat e trafikantëve të cilët i shfrytëzojnë njerëzit dhe i premtojnë diçka që nuk mund të realizojnë.
"Në vitin 2009 Kosova është kategorizuar si një vend i sigurt dhe në Austri është një situatë e tillë që nuk pranohen kërkesat për azil nga kosovarët", tha Brieger.
Ambasadori Brieger bëri të ditur se çdo qëndrim ilegal në shtetet e BE-së mund të arrijë të shqiptohen ndalesat afatgjata në të gjithë zonën e Shengenit. Përveç kësaj, migrantët ilegalë mund të dënohen me shpenzime administrative deri në 7500 euro.
Ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka pritur në takim ambasadoren e Republikës Federale të Gjermanisë,Angelika Viets dhe ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Johann Brieger.
Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme bëhet e ditur se, ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger fillimisht uruan ministrin Hyseni për emërimin e tij. Në këtë takim u diskutua rreth migrimit ilegal të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Pas këtij takimi ministri Hyseni së bashku me dy ambasadorët iu drejtuan mediave përmes një konference të organizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Me këtë rast, ministri Skender Hyseni tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është shumë e vetëdijshme për arsyet se pse shumë qytetarë të Kosovës janë të shtyrë të lëshojnë vendin e tyre, por shtoi se nuk është zgjidhje migrimi ilegal dhe ikja nga vendi. "Zgjidhjen duhet ta kërkojmë në Kosovë dhe unë i ftoj qytetarët që zgjidhjen ta kërkojnë nga qeveria e tyre. Mesazhi im për qytetarët e Kosovës është të mos bien pre e tregtarëve me njerëz, e kriminelëve që të përfitojnë mbi fatkeqësinë e qytetarëve të ndershëm", tha ai./b.j/z.t/