PRISHTINË, 6 Mars /ATSH/.- Liberalizimi i vizave për Republikën e Kosovës dhe punësimi sezonal i kosovarëve në Gjermani, do të mund të ndalnin migrimin ilegal të qytetarëve, theksoi sot ministri Kosovar i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në takim me ministren për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Rajonale të Bavarisë, Beate Merk.
Ministri Hyseni dhe ministrja Merk, biseduan po ashtu për mundësinë e investimeve në Kosovë nga Republika e Bavarisë, në kuadër të përpjekjeve që qeveria Mustafa po bën për të tërhequr investitorët nga jashtë.
Gjatë këtij takimi zyrtar, u bisedua për migrimin ilegal të kosovarëve në Landin e Bavarisë. Sikurse në takimin e parë, që ministri Hyseni pati gjatë muajit shkurt të këtij viti me Merk, u theksua se azilkërkuesit kosovarë do të kthehen pasi Kosova është një vend i sigurt dhe se kosovarëve nuk iu takon e drejta për azil.
Gjithashtu, u konfirmua se azilkërkuesve kosovarë në Landin e Bavarisë i është bërë ndalimi i përkrahjes financiare për faktin se kërkesat për azil të kosovarëve do të procedohen brenda dy javësh./b.j/k.s/