Hysi: Dallova në skenë shenjat e
para të sëmundjes së Trebickës

Hysi: Dallova në skenë shenjat e<br />para të sëmundjes së Trebickës
TIRANE - “Pse po dridhesh? -Unë dridhen se këtu në teatër bën ftohtë”. Kjo do të mbetet një nga batutat e fundit të Roland Trebickës jashtë skenarit. Batuta fshikullon Teatrin Kombëtar. Ndërsa fliste për problemet e dramës së shkruar shqipe, duke nënvizuar me keqardhje mungesën e shkollës së dramës së shkruar në Shqipëri, dje Ferdinand Hysi solli në kujtesë aktorin e ndjerë Roland Trebicka.

Ishte për të kujtimi i paharruar me Trebickën, kur ai luante dramën e tij të 2011-s, “Tablo absurde”. Ishte drama fatale, kur aktori pasi mbaroi shfaqjen e 6-të të saj, ndjeu, aty mes të ftohtit të madh të Teatrit Kombëtar se pati edhe një stërmundim më tepër se ata të tjerët, më të shëndetshëm sesa ai.

Dridhej Trebicka tek luante, por publikut s’i ra dot në sy. Kjo ia vuri në dyshim shëndetin. Pasi mbaroi shfaqjen, nga vizita u zbulua sëmundja e tij e rëndë, kancer në mushkëri. Lagështia e skenës dhe salla pa ngrohje e Teatrit Kombëtar të Tiranës i paskan  ardhur “në ndihmë” sëmundjes.

“Trebicka nuk e vazhdoi dot më tepër shfaqjen me këtë dramë që e donte aq shumë, thotë dramaturgu Hysi. Pasi u kurua, Ferdinand  Hysi është gëzuar për rikthimin te “Ëndrra e Ismail Qemalit” në 100-vjetorin e Pavarësisë, nëntor 2012, ku u luajt edhe roli i fundit i aktorit Trebicka.

Për fat moti në atë kohë ishte më i ngrohtë, sepse Teatri Kombëtar i Tiranës sot ende nuk ka ngrohje, që t’ua lehtësojë punën aktorëve dhe t’ia bëj “shikimin të këndshëm” publikut. Trebicka ka një muaj që që është larguar nga jeta, por ky dramaturg që me zemër të dridhur ua beson veprën e tij regjisorëve dhe aktorëve, nuk mund të mos jetë i mbushur me kujtime dhe emocione për kontributin e tyre.

Zoti Ferdinand, kur keni nisur që të shkruani dramaturgji?
-Kam nisur të shkruajë dramën e parë që 25 vjeç me dramaturgun e njohur Ruzhdi Pulaha. Kam një jetë kontakte me aktorët në skenë, por sot ndihem keq që në profesionin tim nuk kam shumë bashkudhëtarë të dramës së shkruar. Ka disa të vjetër dhe profesionistë në këtë karrierë si Ruzhdi Pulaha, Teodor Laço, Bashkim Kozeli, Stefan Çapaliku, por s’ka dramaturgë të rinj. S’ka vazhdimësi.

Drama “Tri mendje ne ankand” u ngjit në skenë për herë të parë në 94-ën, pse rikthehet sot në skenë? 
-Sepse mbeti një dramë e pëlqyer. Ka udhëtuar më vonë në një festival në Di të Francës në vitin 1995 ku u prezantua në javën e kulturës shqiptare dhe aty ishte rreshtuar ndër dramat më të mira. Këtë vit rikthehet në Teatrin e Metropolit.

Unë kam shkruar gjithë jetën drama, të cilat kanë pasur sukses në skenë se ka pasur aktorë që i japin jetë atyre. Edhe pse unë jam natyrë modeste dhe nuk flas shumë për to, me çmimet kam pasur fat. Shumë nga dramat e mia janë vlerësuar me çmime.

Cili ishte motivi që ju e shkruat dramën?
-Pikërisht kjo çmenduri ka pikënisje një organizatë “Zoti e do Shqipërinë”. Dhe kjo është reale. Të huajt sillnin ndihmat në “Psiqiatri”, kështu e quaj vendin. Drama nuk e thotë, por nënkuptohet kush është Psiqiatria, Shqipëria. Pra drama ka simbolikë. Është një Psiqiatri e shpuar nga të katër anët që këta të çmendur vijnë vërdallë me hallet e tyre që kanë edhe pse kanë një rol shoqëror.

Jo më kot tre personazhet janë bërë të tillë që një flet, një kundërshton, njëri nuk ia prish as njërit as tjetrit. Në mes të kësaj ironie është edhe ardhja e të huajit që dha ndihma siç janë topi e çadra, ndërsa oturakët e tyre shërbejnë për të pritur pikat se çadra pikon. Kjo është një komedi e zezë.

Pse mendoni se sot ka rënë niveli i dramës shqipe të shkruar?
-Mendoj se mungon kultura e të shkuarit të dramës tek të rinjtë, sepse shihet një prirje për të vënë në skenë autorë të huaj. Pak punohet për të shkruar vepra shqiptare në gjininë e dramës. Janë tek-tuk disa përpjekje të të rinjve për të shkruar dramë.

Jonila Godole ka shkruar një dramë, por këtë mund ta konsiderojmë si një sprovë të suksesshme nga ana e saj, sepse ajo merret me letërsi kryesisht. Ka një përpjekje edhe nga Erjon Kame e ndonjë tjetër, por drama shqipe e shkruar po vdes. Dhe dramaturgjia shqipe që të ketë evolucion kërkon të luhet në teatër.

Teatri na ndihmoi ne dramaturgëve të vjetër të zhvillojmë dramën e shkruar. Po të mos kishte zhvillim tetari, unë nuk do të isha bërë dramaturg, sepse profesioni im është inxhinier. Sot drama shqipe shkruhet pak. Ndërsa në Kosovë është më ndryshe. Ka një shkollë për shkrimin e dramave dhe ka edhe dramaturgë të rinj.

Po bashkëpunimi yt me aktorët e vjetër dhe të rinjtë ku ndryshon?
-Aktorët e vjetër më japin siguri. Tek drama “Testamenti i fundit” pata Rikard Larjen. Aktorët e vjetër kanë profesionalizmin, durimin, por edhe të rinjtë kanë pasionin. Unë bashkëpunoj me sinqeritet me të dy palët. Më kujtuat aktorët e vjetër. Tani m’u kujtua tek shfaqja “Tablo Absurde” në 2011-n i ndjeri Roland Trebicka.

Ai se dinte që ishte e i sëmurë dhe ndiente lodhje në frymëmarrje gjatë premierës. U dhanë gjashtë shfaqje dhe në të gjashtën u detyruan të ndalnin, sepse aty Rolandi kishte vështirësi me kollën, me frymëmarrjen në disa raste, por nuk i shkonte mendja se kishte ndonjë sëmundje të keqe.

Mendonte se kishte pasoja të ftohjes, gripit, s’e ndikonte ambienti i ftohtë në Teatrin Kombëtar, ndërsa e mbante fort veten dhe ndërtonte skenat ashtu siç duheshin, duke mos rënë fare në sy dobësia e tij fizike te publiku. Nuk binte në sy lodhja, nuk vihej re asnjë shenjë.

Ai gjatë provave kollitej, në shfaqje kurrë, mezi e përballonte kollën sa merrte fund roli. Në këtë shfaqje ai kishte një rol që e donte shumë, rolin e një burri pa emër që rrinte brenda një tabloje, i cili edhe pse ishte i rritur kishte mbetur fëmijë. E luante me shumë dëshirë dhe sinqeritet këtë rol.

Roland Trebicka e kishte zakon që të hidhte batuta edhe jashtë skenarit. Ndodhi një gjë e tillë në dramën “Tablo Absurde”?
-Po. Po. Madje më kujtohet mirë se ai hidhte batuta pa u kuptuar se kishte bërë ndonjë ndryshim. Kjo i ndodhte ndonjëherë edhe për të kaluar ndonjë situatë të krijuar në skenë, gjë që nuk vihej re nga publiku. Më sa duket, jo vetëm prej rolit, por edhe fizikisht Landi po ndjente dobësi.

Pse dridhesh?, -e pyetën sipas skenarit. Dhe ai me atë natyrshmërinë që bashkonte batutën, humorin komik me lojën tha: “Unë dridhem se bën ftohtë. Shihni sa ftohtë është në teatër”, tha dhe u mblodh prej të ftohtit, që ishte një realitet, ishte ftohtë edhe në skenë.

Kjo nuk u kuptua nga publiku. Pas mbaroi këtë rol, Rolandi ndjeu se diçka nuk shkonte në shëndetin e tij dhe pas vizitës doli se ishte i sëmurë nga kanceri në mushkëri. Ai u bë mirë disa kohë pas kurimit, por më thoshte se këtë dramë e donte shumë, ndaj i mbeti peng që nuk e filmoi dot.

TETARI I METROPOLIT

Shfaqet “Tri mendje në Ankand”

Ngjarjet zhvillohen në “Psiqiatri”, por edhe pse dramaturgu Ferdinand Hysa nuk është nga ata që preferon t’u heq zhguallin shenjave komerciale që përdor në teatër, është e dukshme se bëhet fjalë për Shqipërinë. Drama “Tri mendje në ankand” që do të ngjitet më 12 prill në Teatrin e Metropolit është krijuar në vitin 1993.

Nuk janë ngjarjet ato që provokojnë intriga në dramë, janë mendësitë. Ndaj atmosfera dramatike do të shoqërohet edhe nga të qeshurat në skenë. Kemi të bëjmë realisht me një komedi të zezë sipas regjisorit.

Skena ku do të rikthehet drama e disa ngjarjeve të 94-ës në Shqipëri është e thjeshtë: mure të shkarravitur, formula, qese dhe një atmosferë e pisët!

Kjo skenografi është ndërtuar nga Elma Doresi. Me titullin “Tri mendje në ankand” , vepra është krijuar në vitin 1993. Në fakt, komedia dramatike është vendosur ne skenë disa herë nga ajo kohë, prej trupës së Vlorës dhe Elbasanit duke fituar edhe çmime.

Por, si për Hysin dhe regjisoren e re Doresi ngjarjet e një spitali psikiatrik mbeten ende aktuale. Ironia dhe sarkazma janë elementët kyç të pjesës e cila i përket gjinisë së teatrit absurd, edhe pse në fund të dramës dashuria dhe nevoja për të është simbolika që pritet të përcillet.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset