Tashmë që i konsideruari ‘mbreti shqiptar i drogës’, Dritan Rexhepi është arrestuar, gjyqi ndaj tij në Shqipëri për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, nuk mund të zhvillohet pa e njoftuar zyrtarisht. Në nisje të seancës në Gjykatën e Posaçme, prokurori i SPAK kërkoi që autoritetet turke të vënë në dijeni Rexhepin për gjyqin ndaj tij. Kaq mjaftoi që seanca të shtyhet deri në marrjen e informacionit nga Rexhepi.
Pas rrëmbimit të Jan Prengës më 17 janar të vitit 2020 dyshohet së fshihet urdhri i Dritan Rexhepit, pasi vëllai i tij, dyshohet se vodhi një ngarkesë kokaine të mbërritur në Angli nga grupi i Rexhepit.
Në qeli për zhdukjen e Jan Prengës është vetëm i pandehuri Aldo Majnishta, pasi të tjerët po gjykohen në mungesë. Më herët është dënuar me burg për jetë Festim Bexhdili kopshtari i kompleksit “Golden Resort” ku u mbajt peng Jan Prenga si dhe me tre vite burg menaxheri i resortit, Olsi Turja.
Kreu i kartelit “Kompania Bello”, Dritan Rexhepi u arrestua më 10 nëntor në një vilë luksoze në Stamboll, aty ku kishte shkuar falë një pasaporte false kolumbiane.
Dikur student për drejtësi, sot ai njihet si një ndër narko-trafikantët më të fuqishëm dhe akuzohet se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Konsiderohet mjeshtri i arratisjeve nga burgu dhe përveç Shqipërisë, e kërkon ta ekstradojë edhe Italia.
Dritan Rexhepi është dënuar me 25 vite burgim në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998. Ai doli nga Kakavija me pasaportën e falsifikuar me të cilën u arrestua në Ekuador dhe prej fundit të vitit 2013, nuk është kthyer më në Shqipëri.
Dritan Rexhepi
Gentjan Funiqi
Martin Bleta
Korado Keshteja
Artan Doçaj
Aldo Majnishta
Geraldo Martini










Komente
Komento