Apeli i GJKKO-së ka vendosur të zhbllokojë disa llogari bankare të shtetasit Ardit Kero, të cilat ishin sekuestruar me vendim të Shkallës së Parë.
Përmes një njoftimi, Apeli i GJKKO-së bën të ditur se 4 llogaritë e zhbllokuara kanë një vlerë totale prej rreth 18 mijë eurosh.
Ardi Kero, ish-drejtori financiar i kompanisë Bankers Petrolium Albania, u arrestua nga Policia e Fierit pak kohë me parë, por më pas u la në ‘arrest shtëpie’.
Ai akuzohet si arkitekti kryesor i një skeme të përmasave të mëdha për evazion fiskal dhe pastrim parash, e cila ka funksionuar për më shumë se dy dekada në zemër të industrisë së naftës shqiptare.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Igerta Hysi, sot më datë 12.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 48 akti, datë 03.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit A.K: “Ankim kundër vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lidhur me kundërshtimin e vendimit të sekuestros”, si vijon:
1. Ndryshimin e vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në këtë mënyrë:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës së shtetasit nën hetim A.K.
- Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit “Për sekuestrimin pranë bankave”, datë 18.07.2025, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për pjesën që ka vendosur sekuestrimin pranë Bankës “***” të llogarive nr. ***, me balancë 327,060.55 lekë; nr. ***, me balancë 11,535 Euro; nr. ***, me balancë 1,653 Usd dhe pranë Bankës “***” të llogarisë nr. ***, me balancë 2,043 euro, në emër të shtetasit nën hetim A.K, i biri i A. dhe i Y., i datëlindjes ***, me Nr. ID ***.
- Kthimin e shumave të mësipërme monetare, shtetasit nën hetim A.K.
2. Miratimin e vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për pjesën tjetër.
3. Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
U shpall në Tiranë, më datë 12.02.2026.
Komente









