Ish presidenti Ilir Meta ka ankimuar në Apelin e GJKK masën e sigurisë “arrest në burg”.

Dy seanca do të zhvillohen më 30 janar, në orën 10:30 dhe 11:00. Një seancë do të mbahet për masën e sigurisë dhe një për afatet e paraburgimit.

Meta është në qelinë e paraburgimit 313 në Tiranë që prej tetorit 2024.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.

Për Monika Kryemadhin është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.