TIRANE- Për herë të parë një i burgosur shqiptar ka mundur të japë online provimin e diplomimit në Universitetin e Romës. Alban Bardhi, lindur e banues në Tiranë, vuan në burgun “Mine Peza” dënimin prej 27 vitesh e gjashtë muaj. Bardhi, i cili akuzohet për veprat penale “Prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni”, është dënuar në Itali, ku edhe ka kryer një pjesë të dënimit. Ndërsa pas ekstradimit nga Rama në Shqipëri me 26 qershor 2014, duhet të kryejë edhe 13 vite dënim. Ajo çka e bën të veçantë historinë e Alban Bardhit është fakti se ai është diplomuar në Universitetin e Romës, duke dhënë në mënyrë online provimin, në sajë të teknologjisë elektronike në një lidhje direkte me “Skype”.
 
Bardhi duhej të jepte provimin në 9 korrik në burgun e Rebibbia në Itali, por për shkak të ekstradimit në Shqipëri më 26 qershor kjo gjë nuk u mundësua. Por pas ekstradimit, organizatorët e projektit “Universitet në burg me teledidaktikë” ku Bardhi ishte regjistruar, në bashkëpunim me konsullatën italiane dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri, u mundësua që ky provim të realizohej online.
 
Gjatë kohës kur vuante dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Rebibbia, Bardhi ishte regjistruar në Universitetin e Romës “Tor Vergata”, falë projektit “Universitet në burg me teledidaktikë”, i ideuar në 2006, nga garanti i të burgosurve në Lazio, Angiolo Marroni, nga ky universitet në bashkëpunim me drejtuesit e burgut të Rebibbia.
 
Marroni ka qenë pranë të burgosurit Bardhi në momentin kur ai ka dhënë provimin përballë një paneli të profesorëve në anën tjetër të ekranit.
 
Bardhi mbrojti tezën “Michelstaedter, një Magnetar”, me relator profesor Fabio Pierangeli, e cila kishte në fokus analizën e punës së Charles Michelstaedter, shkrimtar, filozof dhe letrar italiane. Për punën e bërë, Komisioni i vlerësimit i dha atij 110 pikë, pra vlerësimin maksimal.
 
Projekti i teledidaktikës u iniciua si një praktinë e mirë nga ministria italiane e Drejtësisë, që parashikon që të burgosurit që vuajnë dënimin në burgjet e sigurisë së lartë në gjithë Italinë dhe që duan të regjistrohen në universitet, të transferohen në Rebibbia. Aktualisht në Rebibbia të burgosurit-studentë që janë regjistruar në universitet dhe janë pjesë e projektit Teleuniversita (në Ekonomi, Jurisprudencë, Letërsi e Filozofi), janë rreth 40. të burgosurit knë mundësinë të ndjekin kurset në distancë, pasi leksionet regjistrohen në një rrjet didaktik. Ndërsa provimet zhvillohen në prezencë të profesorëve në ambientet e burgut.

Padyshim që ky është një rast që do të mbahet mend, jo vetëm në historinë e burgjeve, por edhe për arsimin.
alban bardhi
alban bardhi
(Foto/Alban Bardhi duke dhënë provimin online)

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)