Ka ndërruar jetë në QSUT Shpëtim Çeliku, i cili ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e gruas së tij shtatzënë në vitin 2012. Drejtoria e Burgjeve bën me dije se ai ka vdekur si pasojë e një arresti kardiorespirator. Ai u dërgua në spitalin e Burgjeve në Shkodër dhe më pas në QSUT, ku ndërroi jetë.

Shpëtim Çeliku vuante dënimin në burgun e Shkodrës dhe i kishin mbetur 8 vite e 5 muaj dënim për të kryer.

Ngjarja e rëndë ndodhi në dhjetor të vitit 2012, ku Manushaqe Çeliku, e cila ishte në pritje të fëmijës së tretë, u bë viktimë e dhunës së bashkëshortit të saj. Çeliku, asokohe 35-vjeç, e vrau të shoqen me sqepar në sy të dy vajzave të mitura.

Njoftimi i drejtorisë së burgjeve: 

Shtetasi Shpëtim Çeliku, i cili vuante dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ka ndërruar jetë rreth orës 08:10 në Reanimacionin Qendror të QSUNT, ku ishte dërguar për trajtim të specializuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. 

Vdekja ka ardhur si pasojë e arrestit kardiorespirator. Çeliku, banues në Vlorë, ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Rrethit Vlorë për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, pasi ishte arrestuar më datë 09.12.2012. Nga dënimi i tij kishin mbetur për të vuajtur edhe 8 vite e 5 muaj. Më datë 15.10.2025 ai ishte transferuar në Spitalin e Burgjeve nga IEVP Shkodër, dhe më pas u dërgua në QSUNT, ku ndërroi jetë. 

Nga ana jonë janë duke u zbatuar procedurat me njoftimin e Prokurorisë, SHKBSB, Komisariatit të Policisë dhe familjarëve.