Gerd Gjinarari, i dënuar përjetë për vrasjen e Naim Zyberit në një spital në Itali në ’97-ën, arrestohet në Belgjikë. 52-vjeçari ishte sjell në 2014-ën në Shqipëri për shlyerje të dënimit, por 5 vjet më vonë u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës. Disa muaj më pas, Apeli kërkoi rikthimin e tij në qeli, por Gjinarari ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
***
Një prej emrave më të njohur të botës së krimit të viteve ’90, Gjinarari ishte arrestuar në Itali në vitin 1997 dhe më pas ishte dënuar me burgim të përjetshëm për disa vepra penale, nga vrasja e Naim Zyberit në një spital italian, te armëmbajtja pa leje, trafik lëndësh narkotike dhe kryerje të krimit nga banda të armatosura.
Në vitin 2014 ai ishte sjellë në Shqipëri për të vuajtur dënimin. Ndërsa kishte vetëm pak kohë që ishte transferuar në burgun e Drenovës në Korçë, një kërkesë e tij për lirim me kusht, u mor në konsideratë më 14 shkurt 2019, nga gjyqtari Markelian Kuqo. Një vendim që Gjinarari e shfrytëzoi pa humbur kohë. Kur në qershor të po atij viti, Apeli i Korçës vendosi rikthimin e tij në qeli, Gjinarari kishte humbur gjurmët.
7 vite pas vendimit që i dha lirinë, autoritetet mundën ta lokalizojnë në Belgjikë ku dhe u arrestua nga autoritetet e atjeshme. Burimet bëjnë me dije se procedurat për ekstradimin e tij drejt Tiranës janë në proces dhe kthimi i tij në Shqipëri për të vijuar dënimin e përjetshëm është vetëm çështje kohe.
Gerd Gjinarari, i njohur dhe me nofkën Gerd Gjenerali, u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Milanos, vendim i formës së prerë që prej vitit 2001, për vrasjen e Naim Zyberit.
Krimi ndodhi në vitin 1997 brenda një spitali në Milano. Gjinarari, bashkë me Arben Grorin, u paraqitën në spital si të afërm të Zyberit. Ata hynë në dhomën ku ndodhej duke mbajtur një buqetë me lule, brenda së cilës kishin fshehur armën e krimit. Ekzekutimi u konsiderua pjesë e përplasjes së përgjakshme mes grupeve rivale kriminale të Tiranës në vitet pas rrëzimit të regjimit komunist.
Vendimi i Apelit që e riktheu në burg u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë, e cila nuk pranoi rekursin e tij. Më pas, çështja përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, ku Gjinarari pretendoi se vendimet e Apelit dhe të Gjykatës së Lartë cenonin të drejtat e tij kushtetuese. Por më 16 janar 2023, Kushtetuesja vendosi të mos e kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare, duke i mbyllur rrugën e fundit ligjore. Në po atë vit, dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit la në fuqi vendimin e Këshillit të Lartë gjyqësor për shkarkimin e gjykatësit Markelian Kuqo, sipas propozimit të bërë me herët nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani.

Report Tv ka siguruar një foto aktuale të Gerd Gjinararit, të dënuarit përjetë për vrasjen e Naim Zybererit në ’97-ën.
Gjinarari ia kishte dalë të arratisej në vitin 2019 gjatë periudhës kur ndodhej në lirim me kusht, ndërsa në qershor Apeli i Korçës vendosi të rikthehej në qeli.
7 vite më vonë, është lokalizuar në Belgjikë dhe autoritetet kanë nisur punë për ekstradimin e tij.
Komente








