Një 32-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Në pranga ra Bledar Barsa, i cili ishte në kërkim për llogari të autoriteteve italiane. Arrestimi u bë pas shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit mes policisë shqiptare dhe homologëve italianë, nëpërmjet Interpol Tiranës.
Sipas policisë, veprimet u kryen nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të cilët realizuan arrestimin provizor të 32-vjeçarit me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Gjykata e Ankonës e ka dënuar Barsan me 8 vjet, 11 muaj e 10 ditë burg për tre vepra penale: plagosje, kundërshtim të punonjësit të policisë dhe vjedhje, sipas ligjit penal italian.
Pas arrestimit, Interpol Tirana ka nisur bashkëpunimin me Interpol Romën për të finalizuar procedurat e ekstradimit të tij drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata italiane.
Njoftimi i plotë i policisë
"Vijon operacioni ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”. I dënuar me rreth 9 vjet burgim, në Itali, për 3 vepra penale, arrestohet provizorisht 32-vjeçari. Në vijim të shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës, të kryera në kuadër të operacionit të koduar "The Wanted", specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen veprimet për arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin në Itali, të shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Bledar Barsan, 32 vjeç. Gjykata e Ankonës e ka dënuar këtë shtetas, me 8 vjet, 11 muaj e 10 ditë burgim, për plagosje, kundërshtim të punonjësit të Policisë dhe vjedhje, sipas parashikimeve të ligjit penal të Italisë. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali."
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










