Një 29-vjeçar  nga Saranda i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje është arrestuar në Belgjikë. Në korrik të vitit 2017 Nasi Hodo në bashkëpunim me një tjetër vrau me thikë Premtim Begën dhe plagosi rëndë Enea Myftarin gjatë një konflikti në fshatin Borsh.

Sipas hetimeve Viktima Premtim Bega ishte duke kaluar me makinë pranë një lokali, ku po qëndronin dy autorët Nasi Hodo dhe Xhonatan Muçaj. Për shkak të shpejtësisë, nga rruga e prishur është ngritur pluhur. Ky veprim në atë kohë iu duk i qëllimshëm autorëve, të cilët  pasi ofenduan viktimën u konfliktuan edhe fizikisht, duke përdorur thika dhe sende të forta.

Ndërkohë Hodo është gjithashtu autor i plagosjes së një personi tjetër të identifikuar si Donald Kosta.

Gjykata e Vlorës e ka dënuar Hodon me 18 vite burg për veprat penale “vrasja me dashje” në bashkëpunim, “vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “plagosja e lehtë me dashje”. Ndaj këtij dënimi i ka mbetur për të vuajtur edhe 13 vjet, 6 muaj dhe 27 ditë burgim. Pritet ekstradimi i të riut në Shqipëri.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e FAST Albania, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se një shtetas i dënuar për krime kundër personit fshihej në Belgjikë.

Informacioni është shkëmbyer në kohë reale me partnerët belgë, nëpërmjet rrjetit ENFAST dhe, si rezultat, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”, u mundësua lokalizimi, kapja në Belgjikë dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit:

Nasi Hodo, 29 vjeç, i lindur në Sarandë.

29-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2019, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Në muajin korrik 2017, shtetasi Nasi Hodo, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasin P. B., si dhe ka plagosur rëndë shtetasin E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Borsh, Sarandë.

Gjithashtu, 29-vjeçari është autor i plagosjes së shtetasit D. K.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve belgë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Nasi Hodo në Shqipëri, me qëllim kryerjen e pjesës së mbetur të dënimit,  13 vjet, 6 muaj dhe 27 ditë burgim.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë