I dënuari për vrasjen e 4 oficerëve të policisë, Dritan Dajti ka përfunduar përsëri në spitalin e burgut në QSUT.

Report Tv mëson se Dajti ka mbërritur pak më parë në spital nën masa të rrepta sigurie dhe aktualisht po bën ekzaminimet. Ne sektorin ku vuan dënimin Dajti mësohet se ka rezultuar pozitiv me COVID një i dënuar dhe si pasojë është infketuar edhe Dritan Dajti. 

Kujtojmë se edhe në nëntor të 2020, Dajti ka qenë në spital ku ka hequr një gur në veshka. Dritan Dajti, u dënua me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastrit Feskaj gjatë një operacioni policor për kapjen e tij në vitin 2009.

Fillimisht Dajti ka qenë i dënuar me burgim përjetë por iu hoq nga gjyqtarët Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli. Këta tre gjyqtarë firmosën pro heqjes së burgimit të përjetshëm për Dajtin, duke argumentuar se sipas ligjit i takon.

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi pushimin e hetimeve për 3 gjyqtarët Skënder Daminin, Petrit Aliaj e Albert Nikolli, që ndryshuan vendimin për Dritan Dajtin nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve në Durrës në vitin 2009. 

Hetimi ndaj gjyqtarëve nisi edhe pas kërkesës publike të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ndërsa për dy gjyqtarët nga trupa me 5 anëtarë që votuan për lënien në fuqi të dënimit, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, nuk pati hetim.