TIRANE - Një shqiptar i deportuar nga Franca për qëndrim të paligjshëm atje, i kërkuar në vendin tonë për vrasje të mbetur në tentativë, ka mundur t'i arratiset policisë shqiptare sapo ka mbërritur në Rinas. Arnolt Canameti 20 vjeç nga Burreli u deportua nga autoritetet franceze bashkë me 20 shqiptarë të tjerë, por në momentin e zbritjes nga avioni ai ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së efektivëve të policisë për tu larguar nga rrethimi i aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza". Në dalje, 20-vjeçarin e kanë pritur me makinë dy persona nga Burreli, Murat Hysa 50 vjeç dhe Ylber Ndoi 29 vjeç - të dy të arrestuar nga policia këtë mëngjes nën akuzen e përkrahjes së autorit për tu arratisur. 
arnold sanameti

(Arnolt Canameti)

Arnolt Canameti u arratis rreth orës 14:00 të së martës nga Rinasi. Policia thotë zyrtarisht se autoritetet shqiptare policore nuk kanë patur dijeni paraprake për kthimin e tij me këtë avion. 

"Gjatë shoqërimit të të deportuarve nga avioni në drejtim të godinës së përpunimimit të shtetasve, pikërisht kur ka zbritur nga mjeti transportues, duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së shërbimeve të policisë Canameti ka mundur të largohet në drejtim të daljes nga rrethimi i aeroportit, ku është pritur dhe shoqëruar nga Hysa dhe Ndoi", thuhet në njoftimin e policisë.

Canameti ishte në kërkim për vrasje mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje, shkatërrim prone dhe prishje të qetësisë publike. Burime për Shqiptarja.com thanë se ai u deportua nga Franca pasi i ishte refuzuar azili.

Shërbimet e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave kanë nisur hetimet për rastin në fjalë me dyshimin se mund të kenë qenë të përfshirë edhe policë që i kanë lehtësuar "punën" Canametit të arratiset. Policia po punon po kapjen e të arratisurit 20-vjeçar, ndërsa materialet procedurale iu dërguan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës. 

Pezullimi
Pas ngjarjes, mësohet të jenë pezulluar nga detyra pesë punonjësit e Komisariatit të Policisë së Rinasit, të cilët shoqëronin 20-vjeçarin e kërkuar për vrasje. Ndërkohë, emrat e tyre nuk bëhen të ditur. Burime nga policia kanë bërë me dije se i kërkuari për vrasje dyshohet të jetë ndihmuar nga punonjësit e policisë që e shoqëronin momentin e mbërritjes në Rinas. “Lëre mos e bëni alarmante se Arnolti do kthehet se e njoh unë. Nuk ka ku të shkojë”, mësohet të jetë shprehur njëri nga punonjësit e policisë, tashmë i pezulluar nga detyra. Ndërkohë, Shërbimet e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brëndshme kanë nisur hetimet për rastin në fjalë me dyshimin se mund të kenë qenë të përfshirë punonjësit e policisë që i kanë lehtësuar “arratisjen”, Arnolt Canametit. Policia po punon po kapjen e të arratisurit 20-vjeçar, ndërsa materialet procedurale iu dërguan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)