I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ndonëse s’ka pasur hapa pozitivë në rrugën drejt normalizimit të raporteve, është optimist se Kosova e Serbia kanë bërë përparime në disa çështje.
Lajçak ka shkruar në Facebook të martën për takimin e 24 tetorit në Bruksel, duke u shprehur se takimi pati në fokus avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë.
“Ndonëse nuk kemi bërë hapa përpara për këtë, unë jam optimist për disa përparime të arritura në disa çështje të tjera kyçe, të cilat do t'i ndjekim në javët në vijim”, ka thënë zyrtari i BE-së.
Ai njoftoi gjithashtu se është takuar me drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit për Energji për të diskutuar bashkëpunimin energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e integrimit në tregun e BE-së “mes kompleksitetit në raportet mes palëve”.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin trepalësh të mbajtur të enjten në Bruksel nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë.