E afërmja e 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila i dha fund jetës me fotoksinë pas dhunës që dyshohet se kishte ushtruar ish-bashkëshorti i saj, ka zbuluar më shumë detaje rreth ngjarjes, teksa mori pjesë në homazhet e zhvilluara në kujtim të së resë në Lezhë.
Ajo zbuloi se Xhuana pasi ishte ankuar te familja e saj gjatë kohës që kishte qenë e martuar me Eraldo Fizin, këta të fundit kishin shkuar të familja e djalit dhe e kishin marrë vajzën, duke mos e lejuar që të jetonte më në familjen e bashkëshortit.
Më pas sipas saj, Xhuana shkoi në Tiranë për të filluar një jetë të re dhe një ditë pas ngjarjes së rëndë kishte planifikuar që të fillonte punë.
E afërmja e Xhuanës nuk dha të tjera detaje mbi ngjarjen, por u bëri thirrje vajzave dhe grave që të reagojnë ndaj dhunës së ushtruar ndaj tyre.
“Baba i saj është djali i axhës tem. Nuk jam e autorizuar me fol gjë dhe nuk kam çfarë të them. Kjo është një nga viktimat që ndodhin shpesh herë këtu. Na ka rënë si bombë. Nuk ka shprehur shqetësime. Menduam se ajo mos kishte kaluar në depresion meqë kishte 3 muaj që ishte ndarë prej tij, menduam shumë gjëra. Por nuk ishte asnjë nga ato. Kjo na vjen keq.
Nga i ka ardhur rrethana, si i ka ardhur. Ajo ka jetuar me shoqe atje. Kur ka shprehur shqetësime te familja e vet ajo, familja ka shkuar në famijen e tyre dhe e kanë marrë vajzën. I kanë thënë ‘për këto arsye do ta marrim vajzën’ dhe ata nuk kanë kundërshtuar.
Pastaj më mbrapa shkoi në Tiranë për të jetuar aty. Një ditë më pas do të fillonte punë. Po e shikonte me një këndvështrim tjetër jetën. Kam 1 mijë mesazhe për gratë dhe vajzat, që të mos heshtin, por të flasin. Ka ndryshuar ajo kohë, tani janë të lira”, tha e afërmja e Xhuanës.
----------------------------------------------------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi kryesor:
Një qiri për Xhuanën/ 25-vjeçarja i dha fund jetës pas dhunës së dyshuar nga ish-partneri, zhvillohen homazhe në Lezhë në kujtim të saj








