Xhirot me motor ishin një prej hobeve të Lorik Deçit, 38-vjeçarit nga Kosova që humbi jetën mbrëmjen e së enjtes pranë fshatit Fan në Mirditë.

Viktima jetonte në Prishtinë ku punonte në një sipërmarrje pasurish të paluajtshme.

Në profilin e tij në rrjetet sociale, Deçi e përshkruan veten si të apasionuar pas sporteve si ski, snowboard, rafting, hedhje me parashutë dhe sigurisht motorëve.

Miq e familjarë kanë shprehur dhimbjen e ngushëllimet duke e përshkruar Lorikun si njeri me shumë humor e energji.

Por, prej 11 vitesh, ai vuante edhe humbjen e nënës, ku në rrjetet sociale ndante foto me të dhe shprehte gjithnjë dëshirën “të kujtoj me shpresë se një ditë do të takohemi.”