I digjet makina, Teliti: Nuk kam
konflikte, arsyet janë politike

I digjet makina, Teliti: Nuk kam<br />konflikte, arsyet janë politike
TIRANE- Në orën 4 të mëngjesit të djeshëm persona të paidentifikuar i kanë vënë flakën automjetit privat të shefit të Auditit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Armand Teliti. Ngjarjen e denoncoi fillimisht dega lokale e PD-së në Durrës, duke e cilësuar atë si akt mafioz për shkak të detyrës. I kontaktuar nga Shqiptarja.com, Teliti u shpreh se është i tronditur nga ngjarja, për faktin se siç pohon vetë ai, nuk ka asnjë konflikt personal.

Motivet e ngjarjes, Teliti i lidh me detyrën e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku si shef i Auditit denoncoi pak ditë para zgjedhjeve vendore, regjistrimin fiktiv të zgjedhësve në Bashkitë e reja të Durrësit dhe Kavajës. Në këtë drejtim, arsyet sipas tij janë politike. “Në katër të mëngjesit, automjetit i është vënë flaka me benzinë. Kamerat e bizneseve aty pranë kanë regjistruar 3 persona të cilët i hedhin makinës benzinë dhe krejtësisht të pashqetësuar i venë flakën.

Ky akt për mua është krejtësisht kriminal dhe motivet e tij i shoh për shkak të detyrës. Besoj se arsyet janë politike pasi nuk kam asgjë personale me askënd. Dhe veçse motiveve politike, nuk shoh asnjë arsye tjetër”, u shpreh shefi i Auditit në KQZ, Armand Teliti. I pyetur për deklaratën e deputetit demokrat, Eduart Halimi se pas sulmit qëndrojnë dy kryebashkiakët Vangjush Dako dhe Elvis Roshi, Teliti u shpreh se “nuk dua të shtoj dhe të heq asgjë nga ajo çka ka deklaruar Halimi”.

“E ritheksoj se motivet e ngjarjes janë politike, pasi qoftë unë, qoftë familja ime nuk kemi asnjë konflikt personal”, theksoi ai, ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë dhe Policisë të hetojnë ngjarjen. Armand Teliti është një prej figurave politike më të njohura në strukturat e Partisë Demokratike në Durrës, ish ministër i Transporteve dhe ish drejtor i Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme, ndërsa në shkurt të këtij viti, ai u emërua në detyrën e shefit të Auditit në KQZ.
 
PD: Pas sulmit qëndron dyshja Gjushi-Elvis Roshi
Deputeti demokrat, Eduard Halimi e cilësoi ngjarjen si akt mafioz që ka lidhje me denoncimin prej Telitit të regjistrimit fiktiv të zgjedhësve në Durrës dhe Kavajë. Ai akuzoi dy kryebashkiakët Vangjush Dako dhe Elvis Roshi, se fshihen pas këtij sulmi.

“Ky akt kriminal i tipit mafioz, vjen pas gjetjeve që bëri Auditi i KQZ, z.Teliti disa muaj më parë me importimin e të paktën tre mijë votuesve nga Vangjush Dako dhe 600 votuesve nga Elvis Alias servir Rroshi, të cilët nëpërmjet skemës së importimit të zgjedhjeve, një skemë kriminale kjo e provuar plotësisht nga Prokuroria arritën që të manipulonin rezultatin zgjedhor. Ne kemi dyshime të forta se, pas aktit mafioz të vënies së zjarrit të makinës familjare të zotit Teliti është dyshja Gjushi me Elvis Rroshin”, u shpreh Halimi.

Deklarata e Halimit është cilësuar si shpifje prej kryetarit të bashkisë së Kavajës Elvis Roshi. Ky i fundit në një postim në facebook ka deklaruar se do të ketë kallëzim penal ndaj Halimit.
Reagimi 

Rroshi: Shpifje, Halimi të ndiqet penalisht 
Kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi hedh poshtë akuzat e demokratit Eduard Halimi se ai fshihet pas djegies së makinës së Armand Telitit. “Eduardi me akuzoi për 600 vota të importuara ndërkohë që humbi me 7600, ndaj i bëj thirrje të bëjë pushimet i qetë dhe të mos shpifë pa të drejtë. I bëj thirrje Prokurorisë që të marrë Eduard Halimin si person që ka dijeni për ngjarjen, në të kundërt të ndiqet penalisht për pengim të hetimit. Ka marrë fund koha kur politika bën drejtësi dhe shpall fajtorë”, shkruan në Facebook, Rroshi.
 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Dash Sula kritika për draftin e Zgjedhores: E keni sjellë në Komision gjysmë ore para, e keni vulosur! Gjithçka tjetër kot

Dash Sula kritika për draftin e Zgjedhores: E keni sjellë në Komision gjysmë ore para, e keni vulosur! Gjithçka tjetër kot