Një komunikim mes vëllait të deputetit socialist Eduard Ndreca, dhe një trafikanti droge, mbeti vetëm një dyshim i paprovuar, prandaj Prokuroria e Lezhës u tërhoq nga arresti dhe kërkoi lirimin e Armando Ndrecës.

Prokurorja Irena Sufaj u tërhoq gjatë seancë dhe kërkoi masë më të butë sigurie, të detyrimit të paraqitjes, çka u pranua nga Gjykata e Lezhës. Në argumentet që nxorën Ndrecën nga qelia 3 ditë pasi u prangos, gjykata, në vendimin që Report Tv e siguron, thotë se arrestimi me dyshimin se ai ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në Kashnjet të Lezhës, u bë pa prova bindëse.

Bashkë me Ndrecën u arrestuan edhe Armel Nikdukaj dhe Elvis Shpellzai  të cilët vijojnë të jenë në qeli pasi u kapën në flagrance në stanin që kishin përshtatur për kanabis.

Por çfarë u bë shkak që policia të shkonte në arrestimin e vëllait të deputetit, më tej të liruar?

Dyshimet lindën pas zbërthimit të celularit të të arrestuarit Elvis Shpellzaj. Aty u gjet i regjistruar një numër telefoni anglez me emrin “Bellanoca”, që sipas informacioneve të grumbulluara nga policia, i përkiste Armando Ndrecës, por në vendim të gjykatës thuhet se nuk është arritur të provohet diçka e tillë.

Po ashtu akuza dyshoi se Ndreca ka pasur telefonata edhe me të arrestuarin tjetër, Armel Nikdukaj, në telefonin e të cilit ka pasur thirrje, por sërish nuk rezulton se janë paraqitur prova konkrete të asaj se çfarë është biseduar e nëse shfaq elementë të veprës penale.

Prokurorja Irena Sufaj argumentoi se mungojnë prova themeltare për ta mbajtur në burg Ndrecën, si mund të ishin transkriptimet e përgjimeve të realizuara nga policia për këtë procedim. Në këto kushte, sipas gjykatës, rezulton se ka qenë vetë prokurorja e çështjes, e cila në seancë ka ndryshuar qëndrim dhe gjyqtarja Edlira Çota vlerësoi të paligjshëm ndalimin e Armando Ndrecës