TIRANË- Një vit pas akuzave për korrupsion e pastrim parash kardiologu Edvin Prifti fiton të drejtën për të ushtruar profesionin e mjekut. Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e tij për të ushtruar profesionin, teksa SPAK ende nuk ka përfunduar hetimet.

Mjeku Edvin Prifti akuzohet se mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t'i operuar nënën. Mallakuçi ishte nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës.

Në një prej shumë bisedave, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj në këmbim të parave.

Gjatë kontrollit mjekut prifti iu gjetën afro 380 mijë euro, ndërsa iu sekuestruan 1 milionë euro. Ndërsa vijojnë hetimet, mjeku ka fituar të drejtën si të mësimdhënies ashtu edhe të ushtrimit të profesionit.