I fundit i dinastisë, Në kullën
kryelartë të Dedë Markagjonit

I fundit i dinastisë, Në kullën<br />kryelartë të Dedë Markagjonit
Historinë e familjes Markagjonaj apo Gjonmarkaj e njohin shumë prej jush, pasi kjo familje jo vetëm është një nga familjet më fisnike që ka pasur Shqipëria por ajo me veprimet, qendresën dhe dinjitetin e saj ka marrë pjesë në historinë shqiptare në të gjitha epokat, në mënyra të ndryshme, ashtu siç e ndryshme ka qenë dhe vetë historia jonë. 

Dhe ka marrë pjesë edhe në historinë e Italisë, duke i dhënë një medalje ari e një senator. Ndërsa për mua qasja me këtë familje, edhe për faktin që jam larguar tepër herët nga vendi im, u bë me hapa gjithmonë e më të mëdhenj: së pari shoqja ime më tregonte me krenari për origjinën mirditore dhe për trimërinë e Markagjonajve por unë më tepër mahnitesha se sa kuptoja; pastaj duke përkthyer artikullin “Ku e lamë Ernest Koliqin?”shkruar nga Paolo Muner dhe botuar në revistën Klan* mësova, këtë radhë me ndërgjegje e vëmendje rolin e Gjon Markagjonit gjatë bashkimit Itali-Shqipëri; e në lidhje me këtë edhe persekutimin mizor që kishte pësuar familja nga regjimi komunist; dhe së fundmi, takimi për të intervistuar Ded Markagjonin në shtëpinë e tij.

Dhe po nga larg, nga po i njëjti qytet ku vdiq babai i tij, në Romë, mora vesh lajmin e ndarjes së tij nga jeta. Nuk mund të mos shkruaja artikullin e pashkruar gjer më sot për të, për Dedë Markagjonin (Orosh 1921 - Shkodër 23 janar 2015).

Atë ditë verë, ndërsa po ecja me biçikletë në Shkodrën time, isha e tendosur dhe e emocionuar. Por kur mbërrita afër Shkollës së Jezuitëve, kushtuar martirit Pjetër Mëshkalla, u hap dera dhe u shfaq oborri i gjatë, pusi në qendër të oborrit, gjelbërimi, trëndafilat e biçikletat që përmbushnin kornizën e një shtëpie tipike shkodrane, me çardak e shkallë të lartë të dyanshme, rindërtuar pas tërmetit të 1905-ës nga arkitekti fotograf Kolë Idromeno duke ndryshuar fasadën dhe duke ngritur kullën, asokohe më e larta e qytetit, sipas kërkesës së bajraktarit Prenk Bibë Doda të cilit i shërbente si banesë dimërore, dhe pusi i ardhur nga Venecia.
Kulla me kryelartësinë e saj po më tregonte që bëhej fjalë për një shtëpi të vertëtë bajraktarësh.

Siç mësova më pas, kjo shtëpi nuk i reshtte vizitat, dhe jo vetëm sepse, sipas traditës thuhet që pikërisht nga paraardhësi i kësaj familjeje, princi Lekë Dukagjini, kishte rrjedhur kanuni që lartësoi mikun dhe mikpritjen, por edhe falë karakterit të hareshëm, të buzëqeshur e të qetë të të zotit të shtëpisë, Dedës, pasardhësi i fundit* i kësaj dinastie, që me plot 94 vjetët e tij, ishte në kthjelltësi të lakmueshme mendimi, shprehjeje e veprimi. Ai tregonte e bisedonte jo vetëm nga përvoja e tij vetjake e familjare por edhe nga librat e revistat kulturore e historike që lexonte.

Në të vërtetë po lexonte atëhere librin me letërkëmbime “Kuvend Letrash me Miqtë” - Mustafa Merlika Kruja, Familja Gjomarkaj e Zef F. Nekaj dhe në bisedë e sipër, qeshëm së bashku, duke thënë që kishte akoma kohë për të jetuar derisa të lexonte librin e trashë rreth 500 faqe dhe vëllimin e dytë* po aq. Afër divanit, në një tavolinë, ishte po ashtu turra e revistave të përjavshme, ku ishin edhe dy nga artikujt e Paolo Munerit të përkthyer nga unë.

Një histori që ka prejardhjen, sipas traditës, me derën e Lekë Dukagjinit, dhe që fillon, sipas Konsullit të Napoleonit I dhe historianit Freng Poqeville, në vitin 1550 shpalljen e hapur dhe demokratike të kryeprijësit mirditor, Gjonmarkut I, që i ftuar nga populli si udhëheqës, u ka thënë: “Nëse më pranoni për udhëheqës, unë dhe pasardhësit e mi do ta sundojmë e do ta drejtojmë popullin e Mirditës pa kurrfarë të drejte të dhjetash, taksash, gjobash, xhelep, etj., por vetëm në bazë të së drejtës kanunore dhe do të respektojmë të drejtën familjare e të pronës private të caktueme me gurë e kufi. Ju premtoj gjithashtu se kam me vuejtë, me sakrifikue, me u djegë, me luftue e me dekë për Mirditë e bashkë me mirditorë”.

Dhe këtë në të vërtetë e bëri Lleshi i Zi, që iu dorëzua turqve që Mirdita të mos prekej. Por e bënë edhe të tjerë të fisit të tij: Bibë Doda udhëhoqi kryengritje antiosmane i mbështetur nga Napoleoni i III i cili i dhuroi një shpatë, që më pas Enver Hoxha ia dhuroi Hrushovit; Kapedan Marka Gjoni, që iu largua internimit nga Turqia si partizan i pavarësisë kombëtare për të mbrojtur princin Wied kundër esadistëve më 1914, e më pas drejtoi Mirditën në kryengritjen e vitit 1921; me Prenkë Bibë Dodën, që mori pjesë në Lidhjen e Prizrenit dhe qe zëvendëskryeministër si dhe ministri i parë i jashtëm i vendit; edhe vëllai i Marka Gjonit Ndue që, valëviti flamurin e Gjergj Kastriotit më 25 prill 1902, edhe trimi Dedë Gjo Luli që me të tjerë e ngriti më 6 Prill 1911;

Frrok Dodë Gjonmarku, kushëriri që gjatë Bashkimit Mbretëri Itali-Shqipëri kishte rënë duke luftuar si Komandant kompanie në Milicien Fashiste Shqiptare, në Luftën e Greqisë në 1940-n, për trojet çame, i vrarë nga një shqiptar i kaluar në palën greke, birit të të cilit, Bibë Dedës, iu dorëzua Medalja e Artë e Nderit Ushtarak (e Kumtesës) nga vetë Mbreti në Shkodër në vitin 1941 dhe Gjon Marka Gjoni që ka pasur rëndësi politike dhe raport të veçantë mirëbesimi me Mbretin Ahmet Zogollin dhe, si senator i Mbretërisë gjatë Bashkimit*, është pritur me nderim edhe nga Mussolini dhe Papa, nderim i shfaqur edhe kur u përcoll me madhështi në vitin 1966 në funeralin e tij në Romë, me fjalim të mbajtur nga Ernest Koliqi, me nderime e pjesëmarrje të madhe nga diaspora dhe nga personalitetet italiane.

Deda, në ato bashkëbisedime, në atë dhomë pritjeje, tregonte për lidhjet e forta që kishte ruajtur me krahinën e Mirditës, të cilës paraardhësit i kishin siguruar gjithnjë një status të veçantë gjatë pushtimit turk; për babanë e tij Gjon Marka Gjonin, që e kishte dashur aq fort dhe për të cilin ruante një kujtim të bukur; për vëllezërit e tij të vrarë ndërsa po luftonin për Shqipërinë etnike në zona të ndryshme; për motrën që kishte pak vite që ishte ndarë nga jeta. Fliste gjithashtu me dinjitet të lartë për vuajtjet e pësuara nga e gjithë familja, gjyqet, dënimet me burgime e internime. 

Sidomos, për  rininë e tij të djegur, vitet: 3 në izolim në një birucë, 16 në burg e 30 internim, duke “shëtitur” gjithë Shqipërinë, për miqësitë e krijuara ndër vite; për faktin që ështe e vështirë të rradhitësh mendimet e asaj përvoje, sepse nuk di nga t’ia fillosh aq shumë ka për të treguar dhe për këtë, me keqardhje mbase për atë që në 22 vitet e “demokracisë” akoma nuk është bërë, pohoi që “për të marrë vesh përvojën e internimit, burgimit dhe izolimit duhet të mblidhen shumë tregime shokësh që kanë jetuar të njëjtat gjëra”.

Kjo historia e Markagjonajve që thuret, puqet e përplaset me historine Shqiptare: fisnikëria dhe trimëria, princat që bëhen senatorë në vendin e huaj dhe “pushtues”, por që internohen në vendin e tyre, që vdesin të nderuar jashtë vendit dhe ata që nuk përbëjnë lajm pasi jeta e tyra ka kaluar nëpër burgje për larjen e “fajeve” në të vërtetë të pabëra.

Megjithatë, mund të them që  më shumë së një intervistë, ky takim u shndërrua në një bisedë dhe u mbyll më një selfie, një fotografi të vetbërë, sipas modës së fundit, ku buzëqeshja e tij, dhe e imja si pasojë, me gjithë shpirtin rinor, kureshtar të Markagjonit të fundit. Ashtu do e kujtoj unë, dhe ata që patën kënaqësinë të bisedojnë me të.

dede gjon markaj



















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Braçe: SPAK vijon detyrën përkundrejt presionit nga Rithemelimi në ballkon dhe Kuvend! Deputetë pa pikë turpi sulmojnë një institucion kushtetues

Braçe: SPAK vijon detyrën përkundrejt presionit nga Rithemelimi në ballkon dhe Kuvend! Deputetë pa pikë turpi sulmojnë një institucion kushtetues