VIDEO/ I humbur prej 78 vitesh, i jepet lamtumira rreshterit anglez! Misionet e fshehta britanike në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore

Ishte data 20 tetor 1943. Rreshter Peter Twiddy mbushi 22 vjeç. Nuk i dimë planet që ai kishte bërë, por kjo do të ishte ditëlindja e fundit për të. Në 100 vjetorin e lindjes së tij, rreshteri anglez ka një vend ku të prehet. Një histori e pazakontë për ditët e sotme me të cilën na njeh Doktori i Shkencave Roderick Bailey në librin e tij “Provinca e egër”

“Në tetor 1943,  një avion britanik, u ngrit nga veriu i Afrikës dhe kishte mision të dërgonte ndihma tek luftëtarët shqiptarë. Ishte misioni i një grupi të vogël ushtarakësh britanikë mes maleve të Dukatit, afër Tragjasit, në jug-lindje të Vlorës. Avioni fluturoi shumë ulët, sepse duhet të shmangte avionët gjerman, shto edhe që ishte natë, ata nuk duhet të ishin të dukshëm dhe duhet të fluturonin shumë afër tokës në mënyrë që të mund të lëshonin mjetet me siguri”, thotw Roderick Bailey, autor i librit “Lufta e fshehtë në Shqipëri”.

Papritur bombarduesi Halifax i Skuadronit 148 të RAF (royal air force) -Forcave ajrore mbretërore, humbi fuqinë për t'u ngjitur mbi male dhe piloti zgjodhi të vazhdojë fluturimin drejt fshatit Dukat në Vlorë. Pikërisht në këtë zonë u rrëzua. Asnjë nga 9 anëtarët e ekuipazhit nuk mbijetoi. Mes tyre ishte edhe rreshteri Peter Twiddy.

Ekuipazhi i misionit të Halifax HR674

1.Toger i fluturimit William Ross Forester (pilot)

2.Rreshteri i fluturimit James Clement Cole

3.Rreshteri i fluturimit Harold Williams

4.Oficeri i fluturimit Peter Raymonde Flyte

5.Oficeri i fluturimit Francis Jack Hunter

6.Oficeri i fluturimit Edmond Frank Myers

7. Rreshteri Peter Twiddy

Personel i Zyrës së Operacioneve Speciale :

1.Kapiteni Alfred Careless, i Trupave të Pushkatarëve Mbretërorë

2.Sinjalizuesi David William Rockingham, Trupat Mbretërore të Ndërlidhjes

Majori Gerry Field që ishte edhe udhëheqësi i ekipit, deklaroi se ai i varrosi të nëntë të vdekurit në varre të cekëta rreth avionit.

“Hulumtimi im ka konfirmuar përplasjen. Po ashtu kam gjetur prova të shkruara nga një prej oficerëve britanikë që ka qenë në tokë, duke pritur për avionin me ndihma. Ai kishte shkruar për përplasjen si edhe për përpjekjet për të ndihmuar të vdekurit e më pas për t'i varrosur. Por duhet të kishte qenë shumë e vështirë”, shprehet ai.

Pas luftës, u gjetën tre varre dhe eshtrat u dërguan në varrezat lokale. Gjashtë të tjerët mbetën të humbur.

Derisa në vitin 2018 një vendas që jetonte në fshatin Tragjas,Vlorë, i cili ishte në dijeni të vendit, gjeti një kockë brinje. Ai njoftoi një arkeolog, ky i fundit informoi Zyrën e Atashehut të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Ambasadën Britanike në Tiranë.

Në të gjithë vendin kishte edhe copa të vogla metalike e municion të vjetër. Seksioni i Mbrojtjes gërmoi rreth kockës dhe gjeti rreth 150 të tjera të cilat ishin mbi tokë ose të varrosura në tokë të cekët.

Dëshmitë fotografike dhe kocka e nofullës u dërgua në Mbretërinë e Bashkuar për testimin e ADN -së. Falë krahasimeve të materialit gjenetik u identifikuan që i përkisnin rreshterit Peter Twiddy.

“Rreth  vitit 2000-2001 arrita të gjej edhe një ushtarak britanik që ka qenë në tokë në Dukat dhe po ashtu ka qenë prezent gjatë përplasjes. Fola edhe me të, dhe ai ka konfirmuar disa detaje për përplasjen, zhurmën e përplasjes, një aksident i frikshëm që ndodhi duke i marrë jetën të gjithë bordit. Ishte i vetmi burim që mundi të më konfirmonte vendndodhjen dhe identifikimin e avionit”, shprehet autori.

Banorët vendas ishin në dijeni të rrëzimit të avionit, ngjarje e cila ndodhi 78 vjet më parë.

Historiku i ngjarjes është ruajtur falë kujtesës kolektive të zonës dhe përcjellë verbalisht midis brezave.

Por gojëdhënat që flasin edhe për një thesar me vlerë monetare e bëjnë historianin britanik të vërë buzën në gaz.

"Varet çfarë nënkupton me thesar. Ata i lëshonin mbështetje partizanëve për t’i bërë ballë luftëtarëve dhe luftës.  Objekte si uniforma, çizme, armë, të gjitha janë shkatërruar me shpërthimin. Pistoleta, granata, gjëra të vogla. Me siguri uiski. Mendoj se gjatë asaj kohe nëse ishte partizan dhe luftoje në luftë, do të mendoje se thesar do të ishte ushqimi. Rroba të ngrohta. Çizme, armë me të cilat të mbroje veten. Kështu që çfarë konsiderohet sot thesar është e ndryshme nga ajo që konsiderohej atëherë”, shprehet ai.

Po përse fluturonte mbi Dukat të Vlorës avioni bombardues britanik?

Në fund të 19 tetorit 1943, Halifax i Skuadronit 148 të RAF (royal air force} u nis nga baza e tij në Tocra në Libi me operacionin e koduar "SAPLING 7". Qëllimi i operacionit - për një skuadrilje që u bë e njohur si ‘Forca Ajrore Ballkanike’ - ishte të transportonte furnizime dhe personelin për të mbështetur forcat speciale britanike dhe grupet e rezistencës në Shqipëri.

Ky ishte një mision për të mbështetur Ekzekutivin Britanik të Operacioneve Speciale (NSH) në Shqipëri.

 “Dukati në 1943 ishte një vend me rezistencë ndaj gjermanëve. Atje kishte partizanë dhe ishte edhe balli kombëtar që ishte afër, të cilët deri në atë moment po luftonin gjermanët ndërsa ndihmonin britanikët. Kështu ishte një zonë interesante, ishte një marrëveshje e mirë mes kundërshtarëve vendas ndaj gjermanëve dhe britanikët ishin shumë aktivë në atë zone.

Misioni Britanik do të ofronte mbështetje luftarake, për të ndihmuar njerëzit e saj, ushqime dhe armë, para, rroba. Por gjithashtu donin të ndihmonin edhe luftëtarët vendas duke kombinuar betejën e përbashkët kundër forcave gjermane. Kështu, Dukati u zgjodh si një vend uljeje pasi ishte një vend i drejtë, i ulët mbi male duke u bërë vend i mirë për lëshimin e ndihmave. Ndaj u zgjodh”, tregon Bailey

Çfarë roli kishte Britania?

“Dukej një rol shumë i errët dhe me influencë armiqësore. Këtë prezantuan shumica e historianëve. Por kur erdhën këtu britanikët erdhën për të mbështetur të gjithë. Dhe prioriteti i asaj kohe ishte për të mbështetur këdo që luftonte gjermanët. Dhe për aq kohë sa lufta vazhdonte u pa se lëvizja partizane ishte krahu më i fortë për të mbështetur. Ata nuk menduan për pasojat afatgjata që mund të kishte duke e bërë këtë"

Rodrick Bailey thellon kërkimet e tij rreth kësaj pjese të historisë. Ai shfrytëzoi burime të rezervuara, të panjohura deri në botimin  e librit të tij “Lufta e fshehtë në Shqipëri”.

Autori shpjegon se përse ishte e fshehtë marrëdhënia e britanikëve me lëvizjen partizane dhe mbështetësit e Mbretit Zog që ishin rreshtuar kundër Gjermanisë.

 “Nga pikëpamja britanike ishte luftë shumë sekrete  për ta. Kishte një operacion sekret, njohja publike e mbështetjes  britanikëve për qytetarët ishte totalisht sekretet sepse ishte operacion i rrezikshëm pas linjave të armikut. Kështu askush nuk donte ta pranonte publikisht e ti gjenin gjermanët. Ishte luftë sekrete besoj edhe në historinë shqiptare. Një periudhë e historisë shqiptare, një temë e luftës së dytë botërore për të cilën ende po mësojmë sot në Shqipëri. Nuk është e mirëregjistruar në burimet shqiptare por ka shumë për të thënë, shumë për të shpjeguar se çfarë ndodhi më atë periudhë”, shpjegon autori.

I vlerësuar me çmimin e parë nga një juri ndërkombëtare, si vepra shkencore më cilësore kushtuar antifashizmit të popullit shqiptar, libri “Lufta e fshehtë në Shqipëri”, një histori e misioneve britanike (1940-1945) sjell fakte mbi veprimtarinë dhe qëndrimet e pjesëmarrësve shqiptarë gjatë atyre viteve.

Surprizë për autorin ishte figura e pinjollit të familjes gjakovare, Gani Kryeziu.

 “Gani Kryeziu nuk ishte komunist. Ishte kosovar nga Gjakova. Ai vinte nga një familje e privilegjuar nga ajo pjesë e Shqipërisë Veriore. Kishte influencë në të dyja krahët e vendit. Sipas burimeve paraqitet si një burrë shumë trim, kurajoz dhe bënte atë që prisnin britanikët, atë që donin shqiptarët. Që ishte: të luftonte gjermanët. Ishte i betuar t’i luftonte pa ndonjë kusht. Dhe kështu veproi.

Ajo që nuk kuptonin britanikët ishte të qenurit kërcënim për lëvizjen partizane asokohe dhe për lidershipin komunist të partizanëve. Dhe liderët e tyre nuk e përkrahnin idenë e një tjetër lëvizjeje kundërshtare. Enver Hoxha nuk e pëlqente idenë e mbështetjes të një grupi rival që mbështesin britanikët. Kështu mbarimi i luftës nis me eliminimin e Gani Kryeziut. Por kam përshtypjen se është shumë e evidentueshme nga të dhënat britanike se ai luftonte me shumë kurajë. Ishte një njeri që ishte i rritur me historinë shqiptare. Por tani është ndryshe, edhe historianët shqiptarë po shkruajnë për të. Ai ishte një nga surprizat pasi nuk ishte i pranishëm në informacionet prej burimeve shqiptare që kisha”, rrëfen Bailey.

Pyetjes për Ahmet Zogun dhe Enver Hoxhën ai përgjigjet: “Ishte i vetmi lider shqiptar të cilin britanikët njihnin. Ishin në kontakt me të. Pas arratisjes së tij nga Shqipëria ai gjend në Londër. Por ndërsa koha kalonte britanikët nisën të kuptojnë se ai nuk ishte i vetmi lider shqiptar me të cilin vlente të mbanin kontakt. Dhe ngadalë britanikët mësuan atë që po ndodhte këtu. U njohën edhe me partizanët dhe kuptuan se shqiptarët kishin objektiva të ndryshme dhe këndvështrime të ndryshme mbi arsyet që luftonin. Partizanët s kishin ndonjë interes për të mbështetur Zogun por luftonin kundër gjermanëve e italianëve.”

Mustafa Gjinishi dhe Abaz Kupi janë dy emra të rëndësishëm në misionet special britanike përgjatë Luftës së Dytë Botërore.

 “Abaz Kupi ishte mbështetës i Mbretit Zog. Dhe britanikët e mbështetën kur ndjenë se ai mund të ngjallte rezistencë.  Kishte bërë një Ball të fortë kundër italianëve dhe luftonte edhe gjermanët. Nuk kishte dyshime se ishte njeri i guximshëm. Kishte prova që mund të luftonte fort. Por me kohën u evidentua se mund të ishte kërcënim për lëvizjen partizane. Ai organizoi lëvizjen e tij, duke pasur një ide të vetën se si do të duhej të ishte Shqipëria. Por ndërsa lufta vazhdonte e kishte më të qartë kërcënimin që i vinte nga partizanët në krahun komunist. Ndjeu se duke luftuar partizanët ishte e rrezikshme pasi mund të dobësoheshin pozitat dhe synimet e tij. Kur britanikët e kuptuan, e gjetën veten në vështirësi për të justifikuar se përse duhet ta mbështesnin. Menduan se armët që u jepnin mund të mos përdoreshin kundër gjermanëve por mund të hapnin një luftë civile. Mustafa Gjinishi, ishte komunist.  Kishte punuar që në fillim me britanikët. Marrëdhënia e Gjinishit me britanikët u perceptua nga Enver Hoxha si kërcënim. Sot është më se e qartë se  Gjinishi u vra nga lidershipi partizanëve . Por mendoj se duhet të shihet më shumë si lëvizje e drejtimit të partizanëve sepse luftëtarët e thjeshtë nuk funksiononin kështu. Ishte një luftë e brendshme”, tregon ai.

Lufta e brendshme në Shqipëri, nuk ishte pjesë e misioneve britanike pavarësisht se me kalimin e kohës u përfshinë duke përkrahur njërin kah, kryesisht atë të frontit partizan. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ekzekutivi i Operacioneve Speciale u krijua për të mbështetur frymën e rezistencës ndaj Fuqive të Boshtit dhe qëndroi në Shqipëri 18 muaj, deri në tërheqjen e Gjermanisë. Skuadrat ‘Special Duty’ kryen misione të shumta dhe të rrezikshme për të dërguar armë, municione dhe furnizime të tjera në mbështetje të rezistencës antifashiste shqiptare.

Një prej oficerëve britanikë që zbatuan misionet në Shqipëri ishte edhe gjyshi i Rodrick Bailey. 30 vite më parë ai dëgjoi për herë të parë nga gjyshja e tij për këtë vend.

“Gjëja fillestare që më shtyu drejt këtij hulumtimi ishte lidhja familjare me këtë vend pasi gjyshi im ka luftuar këtu për rreth 10 muaj. Ka qenë një lidhje shumë personale që s’është larguar kurrë prej meje.Por duke mësuar më shumë dëgjova se kishin qenë shumë më tepër njerëz që kanë luftuar këtu dhe zbulova sa dramatike dhe e rrezikshme ka qenë situata. Historia 'shumëngjyrëshe' dhe dramatike e Shqipërisë si edhe guximi i shqiptarëve krijuan për mua një tablo më të plotë në momentin e mbarimit të këtij hulumtimi. Krijova një panoramë shumë të madhe, me shumë njerëz në të, shumë e fuqishme dhe shumë emocionale", thotë Bailey.

Një ndër surprizat e këtij hulumtimi, për studiuesin Bailey është kompleksiteti i historisë që kishte ndodhur në Shqipëri. Ai punoi me letrat origjinale, ditaret, fotografitë, dëshmitë e oficerëve britanikë që kanë qëndruar në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore.  Historian nga Oksfordi tregon se ka shumë arkiva të pasura në vendin tonë. Por është gjithashtu e pasur me histori që janë transmetuar në formë verbale. Ndryshimet e historisë së shkruar deri më tani nuk duhet të stepin historianët-sipas tij.

Keni këshilla për shqiptarët që kanë lexuar historinë e diktuar nga regjimi?

“Historianët duhet të jenë gati të përballen me sfidën për të kundërshtuar këndvështrimet e diktuara. S’do të thotë që ato janë të gabuara por disa herë duke sfiduar histori që kanë burime të ndryshme është mënyra me të cilën duhet të funksiononte historia.  Historianët duhet të ballafaqojnë provat që kanë gjetur dhe të jenë të hapur ndaj perspektivave të ndryshme dhe duhet të përpiqen të grumbullojnë sa më shumë detaje të jetë e mundur. E më pas duhet vetëm të reflektojnë, të mendojnë për ato materiale dhe të dalin në konkluzione të cilat i drejtojnë të dhënat që kanë.”

Pjesë e historisë së shkruar nga Roderick Bailey është edhe rreshteri Peter Twiddy. Në ceremoninë e lamtumirës nuk munguan kurorat me lulëkuqe si simbol i ngjyrës së kuqe të gjakut, të derdhur në frontet e luftës. Ato janë prodhuar nga Legjioni Mbretëror Britanik si dhe Shoqata e Mbretërisë së Bashkuar e Veteraneve dhe përdoren edhe gjatë një shërbese përkujtimore.

Në emër të Mbretëreshës dhe Forcave të Armatosura, Rreshter Twiddy është nderuar për sakrificën e tij dhe është vlerësuar si shëmbëlltyra e të gjithë të rinjve britanikë, shqiptarë dhe të kombeve të tjera aleatë që dhanë jetën për të çliruar të tjerët dhe për të mbrojtur të gjithë.

Në memorialin ku prehen 52 ushtarakë britanikë dhe të Komonuelthit që u vranë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, tashmë pas 78 vitesh ka një varr edhe Rreshteri Peter Twiddy.

Nuk mundi të marrë urimin për ditëlindjen në 22 vjetorin e tij, por vetëm përshëndetjen e fundit në ditëlindjen e 100-të.

/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Une: 05/11/2021 11:29

    Respekte ketyre njerezve qe dhane jeten kunder koleres se nazismit dhe ishin themelusit e vertet te luftes partizane ne shqiperi dhe jugosllavi. Merrni shembull qe edhe pas 78 vjeteve qeverite demokratike bejne te pamunderen per ti respektuar dhe nderuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë