I jepet lamtumira legjendës së Tiranës, Meta: Ali Mema, model brenda dhe jashtë fushë (VIDEO)

Në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” janë mbajtur sot homazhet në nder të Ali Memës, ish-futbollistit të Tiranës dhe kombëtares shqiptare, i cili ndërroi jetë të martën në moshën 76-vjeçare pas një sëmundje të rëndë që e mundonte prej vitesh. Të pranishëm në ceremoni kanë qenë figura të njohura të futbollit, ish-futbollistë, trajnerë të Superligës, gazetarë, tifozë e president, të cilët kanë nderuar ikonën e Tiranës që frymëzoi breza.

Për ndarjen nga jeta të Ali Memës, Sulejman Mema, nipi i Aliut dhe ndihmës trajneri aktual në kombëtaren shqiptare, me lot në sy është shprehur "Aliu na mungon shumë pasi ka qenë prezent tek të gjithë, ka qenë njeriu që mbante edhe ekuilibrat, si në çdo familje shqiptare. Po Aliu me të vërtetë ka mbajtur ekuilibra shumë të mira”. Në homazhet për Ali Memën nuk mungoi as presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili u shpreh “Ali Mema ka qenë një model i jashtëzakonshëm në fushën e blertë për të frymëzuar ekipin që përfaqësonte. Ai ka qenë një model edhe jashtë fushës" tha ai. 

Presidenti Meta homazhe për Ali Memën

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se Ali Mema ishte simbol i besnikërisë, legjendë e përkatësisë së ngjyrave bardheblu të ekipit të kryeqytetit. 'Kur mësova me dhimbje largimin nga jeta të Ali Memës, ikonë e futbollit të Sportklub Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, më erdhi në mendje një shprehje që e kam dëgjuar shpesh në fëmijërinë time: “Kush ka luajtur për Tironën dhe Vllazninë, ka luajtur për gjithë Shqipërinë”.

Këtë frazë e kam dëgjuar që i vogël, në shoqëritë e lagjeve të vjetra tiranase dhe mund të them me bindje të plotë se, nëse nuk ishte shpikur, i shkonte plotësisht për shtat Ali Memës. Ikonë e futbollit tiranas, dhe pinjoll i Dinastisë “Mema”, kësaj familjeje të madhe kryeqytetase, Ali Mema zgjon veç kujtime krenare tek kryeqytetasit, shkodranët, por edhe tek të gjithë sportdashësit e futbollit, kudo ku janë.

Ali Mema ishte simbol i besnikërisë, legjendë e përkatësisë së ngjyrave bardheblu të ekipit të kryeqytetit, por para së gjithash ishte shembull i sportistit dhe suksesit. Trashëgimia e tij në historinë e dinastisë “Mema”, ku njëkohësisht dhanë kontributin e tyre vëllezërit Haxhiu, Beqiri e Osmani, si dhe pinjollët e tyre Sul e Ardian Mema, është shenjë se vitet e shtojnë lavdinë dhe e ndriçojnë suksesin e Ali Memës. Kontributi i tij në suksesin e ekipit kryeqytetas të viteve ’60 është i kudogjindshëm, por është legjendar fakti se Ali Mema refuzoi të luante kundër ngjyrave të ekipit të tij të zemrës.

Tani që është mbyllur historia e tij personale, ne, fansat e kudogjindshëm dhe të pangopur për rrëfimet e sprovave të tij, kemi mundësinë të rrekemi të bëjmë bilancin e historisë së tij të pavdekshme sportive dhe qytetare që ka bërë krenar çdo shqiptar, anekënd. Por unë kam një dëshmi personale e mund të them se shprehja “Kush ka luajtur për Tironën dhe Vllazninë, ka luajtur për gjithë Shqipërinë” është dëgjuar sa herë kemi pasur rastin të flasim për Ali Memën e papërsëritshëm në historinë e futbollit shqiptar. Sa bukur i rrin Ali Memës kjo shprehje kujtese e mirënjohje mbarëkombëtare" shkruan ai. Ali Mema është babai i trajnerit aktual të Tiranës Ardian Mema.

Ali Mema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë