‘Studio Live’ për dosjet e nxehta/ Topalli: ‘Plumbi i artë’ çështja më e rëndësishme, Rexhepi ‘Eskobari shqiptar’, për masakrën e Dobraçit do ketë 5 masa sigurie

Situata e kriminalitetit në Shqipëri, dosjet e bujshme që po heton SPAK, proceset e grupeve kriminale në GJKKO dhe ekstradimi ditën e sotme i Gramos (Dritan) Rexhepit nga Turqia në Shqipëri, i cilësuar edhe si ‘Eskobari shqiptar’, kanë qenë tematikat e diskutimit sot në “Studio Live”, të gazetarit Arbër Hitaj.

E fruar në Report TV për të analizuar dhe dhënë detaje rreth këtyre çështjeve ishte gazetarja e aktualitetit, Aida Topalli.

Gjithashtu një temë me interes ishte edhe hetimi për masakrën e Dobraçit muaj më parë, për të cilën ajo tha se së shpejti pritet dhënia e 5 masave të sigurisë për persona konkretë të organizatës kriminale atje.

Teksa foli për dosjet “Plumbi i artë” dhe procesin në GJKKO, ajo renditi disa momente nga përplasjet mes palëve dhe tensionet në seancën gjyqësore, dhe kontestimet e një prej të pandehurve, që kërkonte lirimin pasi “jashtë e priste e dashura që e dashuronte shumë”.

“Ka pasur ngritje toni të zërit dhe kundërshtime në seancën e djeshme të dosjes “Plumbi i artë” të 3 të pandehurve të dëshmuar nga i penduari Nuredin Dumani, duke thënë se dëshmitë nuk janë të vërteta. Ata japin kundërshti në lidhje me ato që ka thënë Dumani, duke e quajtur mashtrues. Gentian Sharra ka thënë se nuk ka nevojë të grabisë se ka marrë miliona euro tendera. Ose dëshmia e Petrit Qolit, që u shpreh se ka 3 vite që mbahet me padrejtësi në burg, teksa e dashura e tij e pret jashtë dhe e dashuron shumë. Kurse Enver Diva ka kërkuar seanca transparente me prezencë gazetarësh”, u shpreh gazetarja.

Më tej renditi edhe vështirësitë që sjellin këto procese, por edhe rrezikun që të mbahen me dyer të hapura për median. Por kjo nuk është e vetmja dosje e nxehtë apo e rëndësishme.

“Seanca të gjata dhe sensitive, ku ka edhe ballafaqime dhe përballje mes personave të akuzuar dhe dëshmitarëve. A janë proceset më të rëndësishme? Ka dhe dosje të tjera të rëndësishme apo të nxehta, si ajo Metamorfoza. Por Plumbi i Artë është nga ato operacione që zhbëri krimin në Elbasan dhe zbërtheu një sërë vrasjesh në disa qarqe, teksa ka vënë para drejtësi dhjetëra persona për vrasje, grabitje, si ajo e Rinasit”, u shpreh Topalli.

Tema në studio ndryshoi drejtim në lidhje me çështjen e ekstradimit të Dritan Rexhepit, ku nga studio gazetarja u shpreh se i cilësuari si “Eskobari shqiptar” u ngjit nga një vrasës i thjeshtë, në kreun e narkotrafikut nga Amerika Latine.

Dritan Rexhepi cilësohet edhe si Eskobari shqiptar. Personazh kompleks, ku në vitet 90 e nisi me vrasjen dhe më pas me arratisjen në 2006 nga Policia e Durrësit, ku mbahej për vrasjen e dy policëve. Po kështu arrestimet dhe arratisjet e bujshme në Itali dhe Belgjikë, e duke vijuar me precedentët penalë nga Europa deri në Ekuador, ku mori drejtimin e trafikut, ku një prej organizatave të furnizuara ishte “Kompania Bello”. U arrestua dhe dënua atje (Ekuador) për trafik derisa së fundmi u lirua me kusht dhe u arratis në vitin 2022. U arrestua në Stamboll të Turqisë më 2023, disa vende e kërkuan për ekstradim, si Italia që edhe e informoi lokalitetin e tij ku fshihej, për arrestim. Por duket se Prokuroria e Posaçme shqiptare arriti të bindte autoritetet turke për ekstradim në Shqipëri”, shpjegoi rrjedhën e ngjarjeve ajo.

Por cilat janë akuzat aktuale ndaj Rexhepit, i cili në fakt ka edhe 43 vite burgim për vepra të mëparshme penale, si 25 vite për vrasjet në Krujë më 1998, 4 vite burg për falsifikimin e një pasaporte në vitet 2000, trafikun e drogës në Itali dhe arratisjen me 14 vite burgim dhe arratisjet në Itali e Belgjikë, deri në dënimin e vuajtur në Ekuador dhe arratisjen prej andej, duke thyer izolimin me kusht. 

“Rexhepi akuzohet për rrëmbimin dhe organizimin e zhdukjes së Jan Prenga më 17 Janar 2020. Shkak i rrëmbimit ishte grabitja e ngarkesës së drogës nga vëllai i Prengës, Astriti dhe nuk u dërgua në destinacion. Për hakmarrje u mor peng dhe u pa për herë të fundit në Kompleksin Golden në Shijak të vëllezërve Hajri dhe ende nuk është gjetur. Një vepër që ka minimalisht 25 vite burg. Por ajo që pengon është mungesa e kufomës, e trupit”, tha Topalli.

Por problematike shikohet edhe mungesa e marrëveshjeve me Dubain për ekstradimet dhe gazetarja e sheh të vështirë realizimin e saj edhe për një kohë të gjatë, pasi partnerët kanë refuzuar shumë dosje të SPAK dhe kërkesa të mëparshme.

“Vazhdojmë të mos kemi një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubain, për personazhet e shumëkërkuar nga Prokuroria e Posaçme për krime të rënda. Të vetmet raste janë Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe, po në shumë raste kur autoritetet tona i kërkojnë, ata thjesht mbahen atje, pavarësisht dokumentacionet dhe dosjet që dërgohen, duke mos arritur në marrëveshje ekstradimi. Ka shumë emra që fshihen në Dubai, si Durim Bami, ish-deputetin Arben Ndoka apo shumicën e të kërkuarve të dosjeve Metamorfoza 1 dhe 2.  Përgjimet e SKY ECC i ka trembur këto personazhe që pavarësisht se nuk janë prekur nga hetimet, janë larguar nga vendi apo fshihen në Dubai dhe që mund të dalin më vonë. Ka filluar dhe janë ndezur edhe gjakrat mes grupeve të Vlorës, nisën më 2024 dhe u mbyllën me plagosjen e kushëririt të Inez Hajrullës dhe më tej me një sulm me dron në familjen Sinomati. Pra duket se ato grupe që qëndruan prej kohësh në qetësi, kanë nisur të prishin rendin dhe sigurinë dhe të marrin hakun ndaj njëri-tjetrit”, thotë gazetarja për Report TV. 

Por shqetësuese sheh prishjen e rendit dhe sigurisë nga këto organizata te qytetarët. 

“Në këto ngjarje që krijojnë, kemi edhe qytetarë të pafajshëm që vriten apo plagosen, si rasti i masakrës së Dobraçit. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës i kanë dërguar një dosje të kopsitur mirë SPAK-ut për grupet e Shkodrës dhe meqë Prokuroria e Posaçme e mori nën kontroll dosjen, do ketë një finalizim, pasi janë mbledhur më shumë prova dhe ka emra konkretë. Janë të paktën 5 persona me masë sigurie për atentatin ndaj Licëve në Dobraç, ku u vra edhe çifti Basha (të pafajshëm). Shumë prej vrasjeve kanë mbetur pa autorë ndër vite dhe u desh SKY ECC, kurse në rastin e Dobraçit është zbardhje rekord e një krimi të rëndë, jo se nuk ka pasur të tjera”, tha ndër të tjera ajo. 

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

E prodhojmë vetë energjinë? Përgjigjet Rama: Legjendë mediatike! Kur të fitojmë sovranitetin energjitik atëherë po, ulja e çmimit historike

E prodhojmë vetë energjinë? Përgjigjet Rama: Legjendë mediatike! Kur të fitojmë sovranitetin energjitik atëherë po, ulja e çmimit historike