TIRANE- Rasti i biznesmenit fierak Arben Gropa mund të jetë i ngjashëm me atë të shtetasit turk Abdulselam Turgut, i cili në marsin e 2011 arriti të arratiset, fill pas lirimit nga Gjykata e Apelit të Tiranës. Abdulselam Turgut, ka mundur të paraqesë nëpërmjet avokatëve të tij një adresë të rreme banimi në Tiranë dhe kjo është marrë si provë, duke vendosur ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Sipas vendimit të datës 4 mars 2011 të Gjykatës së Apelit, të shpallur nga gjyqtarët Gjin Gjoni, Hysni Demiraj dhe Agron Papajani, shtetasi turk duhej të qëndronte në “arrest shtëpie” në dispozicion të procedurave të ekstradimit. Ai u arrestua në Aeroportin e Rinasit në datën 18 shkurt 2011, pasi kontrolli i policisë gjeti se shtetasi në fjalë ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli gjerman dhe ishte në statusin “Wanted” (i kërkuar).

Mirëpo pas lirimit, Turgut ka humbur gjurmët duke ju fshehur sot e kësaj dite drejtësisë shqiptare dhe asaj gjermane, ku ishte dënuar me disa vite burg për trafik ndërkombëtar të heroinës. Shtetasi i sipërcituar kërkohej nga gjermanët, për trafikimin e 45 kg heroinë nga Turqia në shtete të ndryshme të europës, përfshirë këtu dhe Gjermaninë. Momentalisht nuk ka asnjë informacion mbi vendodhjen e këtij shtetasi.

Shkrimi u publikua sot (05.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)