I keni vënë re njerëzit e punës?

I keni vënë re njerëzit e punës?

Foto ilustruese

A keni rreth jush njerëz të përkushtuar dhe plot pasion në profesionin që kanë? A ndaloni një çast t'i vëzhgoni? Janë të përthithur nga ajo që bëjnë dhe gjithçka rreth e rrotull është e rëndësisë së dytë. Duken si fëmijë të mahnitur nga lodra e tyre e vetme, që i lumturon.

Si e fëmijëve është dhe pastërtia e tyre dhe distanca nga vorbulla e energjive pozitive dhe negative, që me ashpërsi përplasen përditë në një vend. Nuk dinë çfarë tha ky apo ai politikan, nuk e kanë idenë si vishet e sa kilogramë ka rënë ajo apo ai djalë i spektakleve e i kronikës rozë. Ata janë neutralë. Nuk kanë kohë të merren me jetën e të tjerëve, jo se nuk duan, por sepse kanë brenda një pasion kaq të madh sa i mban të impenjuar nga mëngjesi në darkë.

Pastaj, nëse kanë kohë të lirë, preferojnë ta kalojnë në natyrë apo në vende që mbajnë Art. Kur qëllojnë në tavolina të mëdha familjare, kolegësh apo aktivitetesh, rrinë të heshtur, vetëm dëgjojnë. Nuk e ngrenë kurrë zërin, nuk duan të bien në sy, nuk imponohen për atë "që nuk janë kompetentë". Ata janë në një paqe të dukshme. "Kur ju punoni, jeni një flaut që përmes shpirtit të tij transformon në muzikë përshperitjet e jetës", thotë Profeti në kryeveprën e Khalil Gibranit.

Kur në një vend ka shumë njerëz të punës, ajri është më i lehtë, dufet ndjehen më pak, mirëqenia e përgjithshme është ngjitëse. E kundërta perceptohet nëse në një shoqëri ka tepër njerëz që pjesën më të madhe të kohës e kalojnë kot. Çfarë mund të thonë të ulur për orë e orë në kafe të rinj e njerëz në moshë të pasioneve krijuese? Përsëri Profeti: "Të punosh me dashuri është si të endësh një pëlhurë me fijet e zemrës, që më pas do ta veshë njeriu juaj më i dashur". E pra, mes nesh, ka ende pak njerëz të punës. Ata janë të rrallë. Duhen admiruar e vlerësuar.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë