DURRES- Masakron me thikë dhe qëllon me çifte krushkun, sepse i kthen të bijën në shtëpi. Ndarja e së bijës vetëm dy javë pas martesës, ka irrituar 50-vjeçarin me origjinë nga Mirdita, por banues në Durrës, i cili ka vrarë krushkun dhe plagosi dhëndërin. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në zonën e quajtur “Këneta” në Durrës kur Përparim Hoxha, 52 vjeç, ka mbetur i vdekur, ndërsa djali i tij Xhuljan Hoxha, 24 vjeç, është plagosur rëndë pas përplasje me familjen e nuses. Policia identifikoi autorin e dyshuar të vrasjes, i cili rezulton të jetë Andon Ndoj, 50 vjeç.

Divorci
Xhuljano Hoxha, 24 vjeç dhe Antoneta Ndoj, 21 vjeçe ishin njohur rreth shtatë muaj më parë pasi banonin në të njëjtën zonë. Ata ishin dashuruar dhe brenda pak muajsh shpallën fejesën. Dy javë më parë, dy familjet organizuan një darkë për të kurorëzuar me martesë lidhjen e çiftit të ri. Kështu prej dy javësh 21-vjeçarja jetonte në banesën e burrit. Mirëpo sipas familjes Hoxha, nusja kishte nisur debate të shpeshta me vjehrrin dhe vjehrrën. Për këtë arsye ajo kërkoi që të jetonte në një banesë veçmas me bashkëshortin, por kjo gjë nuk ishte pranuar nga ky i fundit, pasi ishte djalë i vetëm dhe i duhej të kujdesej për prindërit. Dy ditë më parë e reja ka shkuar tek prindërit e saj ku dhe ka rrëfyer konfliktet në banesën e re.

Krimi
Ditën e djeshme dhëndëri Xhuljano Hoxha, së bashku me të atin, kanë shkuar në banesën e 21-vjeçares për t’i dorëzuar të gjitha sendet e saj. Sipas policisë, për familjen Hoxha nuk kishte më kthim mbrapa por vetëm divorc. Ata janë pritur nga krushku, Andon Ndoj, i cili për disa çaste është përpjekur që të mos prishë miqësinë. Pasi ka konstatuar se gjithçka kishte marrë fund dhe dhëndëri kërkoi divorcin, 50-vjeçari dyshohet se ka marrë thikën duke qëlluar 10 herë krushkun. Më pas ka rrëmbyer çiften dhe ka qëlluar sërish mbi babë e bir duke lënë të plagosur edhe këtë të fundit. Për pasojë Përparim Hoxha, 52 vjeç, ndërroi jetë në spitalin e Durrësit, ndërsa djali i tij ndodhet në gjendje të rëndë.

Arrestohet edhe gruaja
Policia e njoftuar për ngjarjen, identifkoi dhe arrestoi autorin e dyshuar. Në komisariat u shoqërua edhe bashkëshortja e tij, pasi dyshohet se ka ndihmuar burrin të kryejë vrasjen. Mësohet se në momentin që ndodhi krimi në banesën e familjes Ndoji, ndodhej edhe 21-vjeçarja e cila nuk ka mundur të zbusë babain e saj.
 
Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)