Foto të papublikuara më parë që tregojnë trupin e Jeffrey Epsteinit të shtrirë në një barelë dhe duke u trajtuar nga mjekë menjëherë pas vdekjes së tij janë publikuar nga qeveria e SHBA-së.
Njëzet imazhe, shumë prej të cilave janë të tepërta për t’u shfaqur, u publikuan si pjesë e një raporti të deklasifikuar të FBI-së mbi vdekjen e Epsteinit në burg, së bashku me dokumente të autopsisë dhe dokumente të brendshme të burgut, raporton BBC.
Ato janë ndër miliona dokumente të publikuara të premten nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve që nxori mbi 3 milionë faqe të reja të dosjes
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut më 10 gusht 2019. Ai mbahej në Metropolitan Correctional Center në Nju Jork, i akuzuar për trafikim seksual dhe komplot, në pritje të gjyqit.
Raporti i sapo publikuar i FBI-së, me titull “Hetimi i vdekjes së Jeffrey Epstein”, duket se është një hetim mbi vdekjen e tij i kryer nga zyra rajonale e agjencisë në New York. Raporti prej 23 faqesh ka të stampuar shënimin “i paklasifikuar” në çdo faqe.
Dokumentet e paredaktuara, të shqyrtuara nga BBC Verify, tregojnë imazhe nga afër të qafës së Epsteinit dhe shenja të dukshme dëmtimi. Ato përmbajnë gjithashtu detaje të autopsisë së tij dhe një raport psikologjik mbi shëndetin e tij mendor në ditët para se ai të vetëvritej.
Disa nga fotot tregojnë Epsteinin të shtrirë në një barelë, ndërsa mjekët përpiqen ta kthejnë në jetë. Ato datojnë më 10 gusht 2019, në orën 06:49 sipas orës lokale, rreth 16 minuta pasi ai u gjet pa ndjenja në qelinë e tij. Vendndodhja e fotove nuk është e qartë, por Epstein u transportua në një spital aty pranë në orën 06:39, ku u shpall i vdekur, gjë që nënkupton se fotot janë shkrepur atje.
Tre foto të tjera kanë shënime që tregojnë se janë realizuar në një spital. Ato tregojnë pamje nga afër të kokës së tij dhe një dëmtim të dukshëm në qafë. Emri i Epsteinit figuron në secilën foto, por emri i tij i parë është shkruar gabim si “Jeffery” në disa prej imazheve.
BBC Verify kreu kërkime për fotot e sapopublikuara të trupit të Epsteinit dhe nuk gjeti versione të mëparshme të publikuara në internet përpara datës 30 janar. Gjithashtu u gjetën materiale të tjera mbështetëse të publikuara në dosje, përfshirë një raport autopsie prej 89 faqesh mbi Epsteinin, të depozituar nga Departamenti i Drejtësisë dhe Zyra e Mjekut Ligjor (OCME) në Nju Jork, si dhe email-e nga zyra e FBI-së në New York që përmbanin të njëjtat imazhe të redaktuara.
Pjesë të raportit të autopsisë së Epsteinit nga Zyra e Mjekut Ligjor shfaqen gjithashtu në raport, përfshirë skanime të dy frakturave në kërcin e tiroides së qafës së Epsteinit.
Raporti i FBI-së përfshin një kronologji prej gjashtë faqesh të ndalimit të Epsteinit në Metropolitan Correctional Center në New Yoprk, nga arrestimi i tij për akuza federale për trafikim seksual nga 6 korrik 2019 deri në vdekjen e tij. Ai zbulon se Epstein u vendos nën mbikëqyrje për vetëvrasje pasi tentoi të vriste veten më 23 korrik 2019. Epstein akuzoi shokun e tij të qelisë, Nicholas Tartaglione, një ish-oficer policie që përballej me akuza për vrasje, se kishte tentuar ta vriste në atë kohë.
Në një takim me një psikolog ditën pasuese, Epstein tha se “nuk kam asnjë interes të vras veten” dhe se “do të ishte çmenduri” t’i merrte jetën vetes, thuhet në dokument. Më 25 korrik ai deklaroi se ishte “tepër i përfshirë në çështjen time për ta luftuar atë, kam një jetë dhe dua të kthehem të jetoj jetën time”, sipas raportit të psikologut.
Dokumente të tjera të publikuara tregojnë se drejtori i burgut kishte këshilluar që Epstein të mos qëndronte i vetëm dhe kishte theksuar nevojën për “kontrolle çdo 30 minuta” të qelisë së tij dhe për “kontrolle të papritura”.
Shoku i qelisë së Epsteinit u lirua një ditë para vdekjes së tij. Natën e 9 gushtit, rojet e burgut gjithashtu nuk kryen kryenin kontrollet e planifikuara për orët 03:00 dhe 05:00, tregojnë dokumentet e burgut, dhe sistemi i kamerave në atë njësi ishte gjithashtu jashtë funksionit. Trupi i tij u zbulua gjatë një kontrolli në mëngjes të kryer nga stafi.
Një version i dytë, i redaktuar, i të njëjtit raport të FBI-së, që është vetëm 17 faqe i gjatë, është publikuar gjithashtu si pjesë e dosjeve Epstein. Ai nuk përfshin raportin e psikologut ose kronologjinë e ndalimit të tij dhe imazhet në dosje janë të redaktuara. Nuk është e qartë pse në dosje janë përfshirë si versionet e redaktuara ashtu edhe ato të paredaktuara të raportit.
Komente










