TIRANE- Mendoi të fuste në burg dy “përdhunuesit” e saj, por plani nuk i shkoi ashtu siç e kishte planifikuar. Një histori e tillë është shënuar në Tiranë. Më 26 Janar të këtij viti, një grua me iniciale M.P ka bërë kallëzim se dy shtetasit me iniciale A.H dhe D.U kanë tentuar ta përdhunonin. Gjatë dëshmisë së dhënë në polici, M.P pretendonte se më datë 25 Janar 2015, rreth orës 22:00 ka qenë duke u kthyer nga shtëpia e hallës së saj me iniciale Sh.K, sapo ka zbritur nga autobusi pranë Njësisë Bashkiake numër 6 ka telefonuar bashkëshortin, Aleksandrin, që ta priste, pasi rruga për në banesë ishte e pandriçuar.

Më tej, sapo gruaja ka kaluar godinën në këtë njësi bashkiake, asaj i kanë dalë para shtetasit A.H dhe D.U të cilët i kishte njohur më parë, pasi kishte punuar si kamariere në një lokal në Vaqarr. Sipas dëshmisë së M.P, këta dy persona e kanë hipur me forcë në makinën që drejtohej nga shtetasi D.U.

Sapo janë futur në makinë A. është ulur me të në sediljen e pasme të mjetit dhe i ka mbyllur gojën me një shall dhe kanë tentuar që të kryejnë marrëdhënie seksuale me të. ndërsa, M.P ka refuzuar dhe ata kanë tentuar që t`i hiqnin pantallonat me zor. Gruaja ka sqaruar më tej, se në përpjekje për të shpëtuar prej tyre ka bërtitur me zë të lartë, por duke qenë errësirë nuk ka mundur të dëgjojë njeri. Më pas, M.P u ka thënë se do të kryente marrëdhënie seksuale me ta, pasi të kryente nevojat personale.

Pasi gruaja u ka thënë këto fjalë, dy shtetasit e kanë lejuar të zbresë nga makina, ndërsa, M.P është larguar prej andej me shpejtësi, duke u munduar të humbasë nëpër errësirë. Sipas kallëzueses, ajo ka ecur për një ore në këmbë dhe gjatë rrugës për në komisariat ka takuar një patrullë policie dhe i ka treguar për ngjarjen. Ndërkohe, gjatë kohës që ajo ka qenë në prani të policisë shtetasi D.U, e ka telefonuar dhe ajo i ka thënë që të shkonte ta takonte te stacioni i autobusit në Kombinat.
 
Arrestimi
Menjëherë pas kësaj, shtetasit D.U dhe A.H kanë shkuar atje dhe janë kapur në flagrancë nga policia. Në momentin e arrestimit, A.H ka kundërshtuar me dhunë punonjësin e policisë Sejdi, duke e qëlluar atë. Ata u akuzuan për veprat penale të “Marrëdhënies seksuale me dhunë me të rritur”, në bashkëpunim të mbetur në tentativë dhe të “Kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Por që më pas akuzat janë drejtuar ndaj kallëzueses.
 
Dëshmitë
Nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e shtetasit nën hetim A.H, ka rezultuar se ai ka patur marrëdhënie intime (marrëdhënie seksuale) dhe herë të tjera me shtetasen M.P. Ditën e ngjarjes ai ka shkuar me shokun e tij D.U dhe e kanë marrë në telefon M-në dhe kanë lënë takim me të në Kombinat. Pas kësaj, ai i kishte kërkuar asaj që të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Gruaja ka pranuar, por i ka kërkuar 10 000 lekë të vjetra. A.H ka pranuar por i ka thënë që në ato momente nuk kishte para me vete. Në këto kushte ajo nuk ka pranuar të kryente marrëdhënie seksuale me të dhe është larguar.
 
Hetimet
Pretendimet e M.P se ajo është marrë forcërisht nga dy personat me qëllim që të kryente marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj, janë në kundërshtim të plotë me të gjitha provat e administruara. Konkretisht, nga hetimet rezultoi se ajo ka patur komunikime të shpeshta me telefon me të dyshuarit, nga ku rezultoi se ka patur marrëdhënie seksuale edhe më parë me ta.

Nga deklarimet e shtetasit B.H, mik i një prej të arrestuarve, si dhe nga këqyrja e telefonit të tij, rezultoi se M.P i ka kërkuar vazhdimisht para atyre me qëllim që të ndryshonte qëndrim dhe të lehtësonte pozitën e personit në hetim A.H. Në bazë të hetimeve, gruaja ka përdorur kallëzim të rremë penal si mjet për të fituar të holla në mënyrë të padrejtë.

Për hetime të mëtejshme, është kërkuar që të gjendej e të merrej në pyetje edhe bashkëjetuesi i gruas M.P, por ka rezultuar se me emrin Aleksandër që ajo kishte përmendur si burrin e saj nuk ishte gjendur dhe se ishte një emër fiktiv. Në bazë të këtyre hetimeve, rezultoi se M.P ofronte shërbime seksuale kundrejt pagesës.

Pikërisht për këtë gjë, ajo u arrestua në flagrancë dhe më pas M.P ka lëshuar edhe një deklaratë noteriale ku tregon se nuk është e vërtetë që A.H dhe D.U kanë dashur që ta përdhunojnë. Po ashtu, më 25 Shkurt, gruaja ka lëshuar edhe një deklaratë noteriale, ku ka kërkuar që çështja e saj të mos ndiqej në rrugë ligjore, pasi sipas saj nuk qëndron vepra penale e kallëzuar nga ana e saj. Më pas, rezultoi se M.P kishte bërë edhe një tjetër deklaratë noteriale më 2 Shkurt, po me të njëjtën përmbajtje.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)