Një punonjës i Policisë Rrugore është arrestuar këtë mëngjes, pasi akuzohet për korrupsion. Mësohet se ka rënë në pranga nga SHÇBA efektivi i Komisariatit Rajonal të Qarkullimit Rrugor në kryeqytet Arjan Meça, me detyrë trup shërbimi në Sektorin Inter-urban.
/Shqiptarja.com
Sipas uniformave blu, ky punonjës policie u arrestua në flagrancë për veprën penale “Korupsion pasiv, nga persona që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, pasi mori një sasi lekësh nga një drejtues mjeti.
Ndërkohë, materialet proceduriale iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.
Nga ana e saj, SHÇBA fton qytetarët dhe mediat të denoncojnë çdo rast paligjshmërie të konstatuar apo korrupsioni, ku janë të implikuar punonjës të Policisë, në numrin falas 0800 90 90 ose të shkruajnë në adresën [email protected].
d.c./shqiptarja.com










