Temperaturat e larta dhe i nxehti përvëlues i muajit korrik kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve në rrugët e Beratit. Më problematike mbetet Pedonalja e qytetit, e cila frekuentohet çdo ditë nga qindra vizitorë. Mungesa e hijes dhe sipërfaqja e shtruar me pllaka mermeri e gurë dekorativë krijojnë temperatura shumë të larta, duke e bërë të vështirë ecjen përgjatë saj.
Për të lehtësuar situatën, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Berat ndërmori sot një aksion freskimi. Dy automjete zjarrfikëse punuan për rreth dy orë, duke spërkatur me ujë të gjithë sipërfaqen e Pedonales për të ulur temperaturën e pllakave dhe për të krijuar një ambient më të freskët për kalimtarët.
Njëkohësisht, efektivët kryen edhe ujitjen e pemëve përgjatë shëtitores, duke ndihmuar në freskimin e ajrit në qendër të qytetit dhe në aksin që lidh dy lagjet muzeale të Beratit.
Ky aksion synon të përmirësojë kushtet për qytetarët dhe turistët gjatë ditëve me temperatura ekstreme, kur termometri vijon të shënojë vlera shumë të larta.
Komente








