23-vjeçari Amadeo Fufi, i arrestuar nga policia në Mamurras pasi shoqëronte një person në kërkim dhe dyshohet se tentoi të përplaste me makinë efektivët e policisë, do të qëndrojë në burg. Djali i ish-deputetit të PD, Mhill Fufit, u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Pasi dëgjoi palët, gjyqtari Delvijot Lusha pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e Amadeo Fufit dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si edhe “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Shtetit”.
Ndërkohë, 23-vjeçari Leonard Dema u njoh me masën e sigurisë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim pas plagosjes gjatë aksionit policor. Gjykata vendosi që ai të qëndrojë në burg me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi është dënuar nga Gjykata e Trentos për veprën penale “Tentativë vrasjeje”, të parashikuar nga legjislacioni penal italian.
Komente











