Gjykata e Posaçme i ka dhënë fund shqyrtimit gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës Kristian Shkreli, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje, duke caktuar datën 17 shtator për seancën ku SPAK do të lexojë konkluzionet përfundimtare.

Në seancën e kësaj të marte prokurori i çështjes Dritan Prençi, paraqiti provat shkresore ku pjesën më të madhe e bënin komunikimet në celularin e kryebashkiakut. Po në këtë seancë ka dhënë dëshminë edhe vetë i pandehuri Kristian Shkreli, i cili ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Shkreli deklaroi se nuk ka ofruar apo premtuar asnjë përfitim në këmbim të votës, duke sqaruar se ndërhyrjet për problematikat me energjinë elektrike në fshatin Stajkë ishin pjesë e angazhimit të tij si kryebashkiak. Sipas tij, banorët e zonës përballeshin me mungesë të energjisë prej vitesh dhe ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me institucionet për zgjidhjen e situatës.

Ai dha shpjegime edhe për një bisedë telefonike të administruar si provë nga SPAK, ku përdorej shprehja “jepi zjerm”. Shkreli tha se kjo nuk kishte lidhje me kërkimin e votave apo premtime materiale, por i referohej atmosferës që dëshironte të krijohej në një takim elektoral të Tom Doshit, që të kishte sa më shumë pjesëmarrës dhe brohoritje.

Kristian Shkreli: Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës, fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike, unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve, unë mund të jem edhe sot në përgjim, dje mora një drejtor tjetër se kishte problem me dritat në një fshat tjetër, marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematikë e më vijnë ankesa, mesazhi që prokuroria thotë "jepi zjerm" është që unë kam kërkuar që në takimin elektoral që ishte lënë të kishte brohoritje, ovacione, jo të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune. Unë kam kërkuar që të vijnë sa më shumë njerëz në miting, si tek i PS dhe ai i PSD, ka qenë situatë e tensionuar, 500 herë më kanë marrë në telefon për problemin e banorëve, nuk më pushonte telefoni nga ankesat, banorët kishin 2 javë pa drita, një frazë që prokuroria thotë që i kam thënë banorëve "ia kam dhënë unë lekët", është që të bindja qytetarët që defekti i linjës do rregullohej, por unë s'i kam dhënë asnjë lek OSHEE. Agjentët e BKH erdhën tek banesa dhe lokali im, ishin më shumë forca policie, çunat e nderuar më kontrolluan, më morën telefonin që kisha në dorë, i pyeta çfarë ju duhet, më thanë më jep password-in e celularit, i thashë patjetër, ia hapa celularin, ia dhashë.

Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Dritan Prençi, iu referua disa komunikimeve të zhvilluara nga i pandehuri, duke kërkuar sqarime për fraza si “të martën e ke të kryer”, “nuk e presim dot shtetin” dhe “sot më prune preventivin”, të cilat, sipas organit të akuzës, lidhen me hetimin për korrupsion zgjedhor. Por Shkreli mohoi që të ketë financuar punime për linjën elektrike apo të ketë ofruar përfitime për banorët në këmbim të votës për Partinë Social Demokrate.

Prokurori i SPAK, Dritan Prençi: I pandehur, janë disa biseda në celular që i ke thënë: “Të martën e ke të kryer, veç shife mos po na vonon veç për Tomën, zjarr, si me ken për mua jua di për nder." Për çfarë flitet në këtë përmbajtje të kësaj bisede? I ke thënë në celular: "Nuk e presim dot shtetin se shteti e ka në terezi", çka ke dashur të thuash? "Sot më prune preventivin", i ke thënë, çfarë pune i kreve?

Kristian Shkreli: E kam thënë si batutë t'i mbushja mendjen që këtë problem po e zgjidh unë, fjalën "zjarr" e kisha që tek mitingu i Tom Doshit të vini sa më shumë njerëz.

Por sipas SPAK, Shkreli dyshohet se gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit 2025 është angazhuar për ndërtimin e një linje elektrike në fshatin Stajkë në këmbim të mbështetjes elektorale për Partinë Socialdemokrate.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.