I refuzoi lirimin, zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës së Lartë për ish-ministrin Lefter Koka: Vendimet e GJKKO të rregullta, nuk ka shkelje

Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e marrë për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Kokën, pasi ky i fundit i bëri rekurs vendimit të apelit të GJKKO për ta lënë në burg.  Vendimi i plotë, është siguruar nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta.

Gjykata e Lartë ka nënvizuar gjithashtu se nuk është një gjykatë fakti dhe nuk merret me pretendimet për vlerësim të gabuar të provave. Sipas saj Koka ka paraqitur si shkaqe rekursi të njëjtat pretendime si në ankimin te Gjykata e Apelit. Sipas gjyqtarëve të lartë asnjë nga pretendimet e ngritura në rekurs nuk janë të ligjshme.

Gjykata e Lartë thekson në vendim se gjykatat e faktit kanë arsyetuar drejtë, së pari në lidhje me dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova që i dyshuari mund të ketë kryer veprat penale, të cilat i atribuohen nga prokuroria.

Gjykatat kanë arsyetuar gjithashtu edhe në lidhje me kushtet dhe kriteret për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg’ ndaj Lefter Kokës dhe përse kjo masë sigurimi personal përbën masën më të përshtatshme dhe në përputhje me nevojat e sigurimit në rastin objekt shqyrtimi.

Në lidhje me pretendimet për kushtet shëndetësore të rënduara të kërkuesit, që nuk përligjin vijueshmërinë e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, Gjykata e Lartë vlerëson se këto pretendime janë shqyrtuar një herë dhe kanë marrë përgjigje të arsyetuar nga gjykata e apelit. Gjatë shqyrtimit të rekursit në dhomën e këshillimit nuk konstatohet se ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural në vendimmarrjen e kësaj gjykate, vendimi i së cilës është rekursuar në Gjykatën e Lartë.

Ish ministri Lefter Koka do të mbetet në burg pas vendimit të marrë më 31 mars nga Gjykata e Lartë, e cila i ka refuzuar rekursin për tu liruar nga masa e sigurimit 'arrest me burg' pas akuzave për aferën 3.7 milionë euro për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ai u la në burg nga apeli i GJKKO më 25 shkurt.

SPAK prangosi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për dosjen e shumëpërfolur, atë të inceneratorit në Elbasan. SPAK e akuzon Lefter Kokën për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion duke përfituar 3.7 mln euro nga incerenatorët.

Tre janë akuzat e rënda me të cilat ish-ministri tashmë do nisë betejën e tij me drejtësinë, teksa janë sekuestruar edhe kompanitë "Albtek Energy”, pra inceneratori i Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në “Kantinën e Pijeve Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.

Kujtojmë se hetuesit kanë arritur të faktojnë nga provat e deritanishme, se ish-ministri Koka ka përfituar në mënyrë të paligjshme edhe nga inceneratori i Fierit, në një vlerë prej 1.2 milionë euro, pra në total sipas SPAK, rreth 5 milionë euro nga të 2 inceneratorët.

Për çështjen e inceneratorëve është në burg edhe ish Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Nga ana tjetër, janë shpallur në kërkim edhe Stela Gugalli, e cila në sistemin TIMS rezulton se është jashtë shtetit si dhe Klodian Zoto.

(Vendimi i plotë i Gjykatës së Lartë për ish-ministrin Lefter Koka)

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Kosovë/ Emigrantët do të votojë në ambasada dhe në konsullata

Zgjedhjet në Kosovë/ Emigrantët do të votojë në ambasada dhe në konsullata