Ish-zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, është vetëdorëzuar në pikën kufitare të Bllacës me Kosovën, teksa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej dhjetorit 2024. Grubi akuzohej për veprat penale keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.
Artan Grubi nga radhët BDI-së me kryetar Ali Ahmeti, është paraqitur vullnetarisht para autoriteteve në pikën doganore të Bllacës në orën 06:10 të mëngjesit sot ku dhe u arrestua menjëherë. Grubi gjithashtu është shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit në dhjetor të vitit 2024.
“Më 23.02.2026 në ora 06:10 minuta në hyrje të republikës së Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitarë Bllacë u paraqit Artan Grubi, i lindur më 07.06.1977 me masën “Arresto”. Personi në fjalë është privuar nga liria për veprime të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.
Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë.
Lajmi në përditësim...
Komente











