Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar sonte se ka nisur i vetëm protestë kundër Edi Ramës, pasi ai po sulmon Gjykatën Kushtetuese.

Lapaj tha se pas 3 vitesh protesta në shesh për rritjen e çmimeve, sonte do të qëndrojë me një karrige para kryeministrisë ndërsa të martën do të dorëzojë kërkesën për protestën në polici.

"Do thoni ju cfarë bën në këtë orë tek kryeministria. Kisha 3 vjet që nuk kisha zbritur në shesh për të protestuar. Sot është 8 dhjetori, dita kur nisi lëvizja studentore rrëzoi në thonjëza komunizmin dhe kam pritur gjithë ditën të ketë reagime, protestë, inat në gjithçka po ndodh.

Por në fakt nuk ka ndodhur asgjë nga këto. Sot kam ardhur këtu 3 vite pasi protestoja dikur për çmimet, të nis një protestë tjetër, përballë Edi Ramës i cili duhet të dorëhiqet, i cili ka marrë sulm ndaj drejtësisë dhe në datë 12 Kushtetuesja duhet të shprehet.

Unë sot duhet të nis një protestë këtu, si qytetar, është simbolikë kjo nisje i vetëm dhe do të jem këtu, ditë e natë pa ndalim, jo duke ikur në shtëpi duke ngrënë dreka e darka, duke dalë në televizion e të vij këtu njëherë në kaq. Uroj që këtu të ketë qindra e mijëra protestues në ditët në vijim. Fundja ky është fati im të jem një protestues i përjeteshëm. Kur të shprehet gjykata askush nuk mund të kërcënojë gjykatat e këtij vendi aq më shumë Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka gjë për të festuar kur luhet me fatet e vendit. Në mëngjes do i dorëzojmë kërkesën te policia, procedurën - dhe më pas jeni të mirëpritur i madh e i vogël, kur të doni këtu në shesh", tha Lapaj.

Gjykata Kushtetuese vendosi të shtyjë më 12 dhjetor mbledhjen e Gjyqtarëve për shqyrtimin paraprak të kërkesës së kryeministrit Edi Rama për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme për procedurat në tenderin e tunelit të Llogorasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dy rastet, dyshohet se fituesi është paracaktuar. SPAK ka bërë të ditur se po heton dhe një sërë procedurash të tjera prokurimi.