Pronari i një biznesi të reklamave në Shkodër ku mbrëmjen e djeshme iu vendos tritoli, ka dhënë dëshminë e tij në Policinë e Shkodrës.
Lulzim Mehmetaj deklaron se nuk ka pasur asnjë konflikt, kërcënim apo shqetësim që mund të lidhej me shpërthimin.
“Nuk kam asnjë ide kush mund ta ketë vendosur eksplozivin. Nuk kam patur kurrë probleme me askënd, as kërcënime e as ndonjë konflikt tjetër. Ne operojmë prej vitesh në fushën e reklamave dhe marketingut në Shkodër dhe nuk e kuptoj arsyen pse dikush do të vendoste tritol pranë biznesit tim. Gjatë gjithë ditës kam qenë në shtëpi për shkak të një viroze. Nuk di kush mund të jenë autorët”, është shprehur Mehmeti përpara hetuesve.
Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë hapur një hetim të zgjeruar për zbardhjen e ngjarjes, e cila tronditi zonën e Ish-Fermentimit për shkak të zhurmës së fortë që u dëgjua, pavarësisht se sasia e lëndës plasëse nuk ishte shumë e madhe.
Sipas burimeve policore, patrullat u njoftuan rreth orës 22:20, duke u nisur menjëherë drejt vendngjarjes. Forcat blu kanë sekuestruar kamerat e sigurisë, të cilat kanë kapur momentet e atentatit.
Pamjet tregojnë dy persona shumë të rinj në moshë, të cilët afrohen me motor, vendosin eksplozivin pranë qepenave të lokalit dhe largohen me shpejtësi. Ata mbajnë veshje me kapuç dhe fytyrat e mbuluara, duke e bërë të vështirë identifikimin.
Të dyshuarit janë larguar menjëherë pas shpërthimit në drejtim të njësisë Rrethina, në një zonë rurale ku mungojnë kamerat e sigurisë. Hetuesit dyshojnë se dy të rinjtë mund të jenë paguar për vendosjen e lëndës plasëse, ndërsa nuk përjashtohen pistat e konflikteve të të tjerëve që mund të kenë shënjestruar biznesin.
Ngjarja mbetet ende e paqartë, ndërsa policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e atentatorëve.
Komente









