Durrës- Një 32-vjeçar është vendosur në pranga nga policia e Durrësit pasi i vendosi flakën një makine.

Ngjarja u regjistrua më 13 shkurt në lagjen nr.10.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të kryer në banesën e Emilian Bashës, blutë gjetën një sasi kanabis sativa.

Lënda narkotike u sekuestrua si provë materiale.

Ndërkohë burime nga policia e Durrësit bëjnë me dije për Report Tv se autori e ka pranuar autorësinë, por ka deklaruar se ka ngatërruar objektiv (pra ka pasur qëllim të digjte një tjetër makinë).

Teksa është pyetur për arsyet, 32-vjeçari nuk ka dhënë informacione të mëtejshme.

Edhe pronari i makinës ka deklaruar se nuk e njeh autorin e zjarrvënies dhe nuk ka konflikte me njeri.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e djegies së një automjeti, kanë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin:   

Emilian Basha., 32 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 13.02.2025, në lagjen nr.10, Durrës, ka djegur automjetin e shtetasit G. Gj", informoi sot policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale  "Shkatërrimi i pronës me zjarr" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".