Një 52-vjeçar është arrestuar në Elbasan, në kuadër të operacionit policor “Identifikimi”.

Ky shtetas i vodhi me dhunë çantën me një shumë parash një 66-vjeçareje në rrugë.

Policia gjeti në banesën e 52-vjeçarit, çantën e vjedhur, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë

Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Identifikimi”.

I vodhi me dhunë çantën me një shumë parash, një 66-vjeçareje, në rrugë, Policia identifikon, kap dhe vë në pranga 52-vjeçarin.   

Gjendet në banesën e 52-vjeçarit dhe sekuestrohet çanta.   

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, dje, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Visarion Xhuvani”, një shtetaseje i kishin vjedhur me dhunë çantën e dorës, kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit. 

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Identifikimi”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit:

-G. F., 52 vjeç, banues në Elbasan.

Nga këqyrja e pamjeve filmike dhe nga hetimet dyshohet se ky shtetas, dje, rreth orës 09:00, në lagjen “Visarion Xhuvani”, në rrugë, i ka vjedhur me dhunë shtetases F. S., 66 vjeçe, banuese në Elbasan, çantën e dorës, në të cilën ajo kishte një shumë parash, celularin dhe disa dokumente. Si pasojë, 66-vjeçarja është dëmtuar lehtë në krah.   

Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit, u gjet çanta e vjedhur, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohet se mund të ketë kryer shtetasi G. F..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.