Kanë vijuar në mbrëmje tensionet në Kavajë, në KZAZ nr. 42 kur disa militantë të PD janë konfrontuar me forcat e sigurisë. I pranishëm ka qenë edhe kryebashkiaku i PD i cili ka nxjerrë në terren edhe forcat zjarrfikëse të bashkisë për të sulmuar forcat e policisë.

Përgjatë ditës së sotme në 14 KZAZ të bashkive të drejtuara nga PD dhe LSI, në përfundim të mandatit, krebashkiakët urdhëruan administratën, punonjësit e policisë bashkiake dhe nxorrën militantët, që të sulmojnë Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, ngritur në institucione në administrim të këtyre bashkive, si shkolla, muze, palestra etj. Duke zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, zyrtarët e këtyre bashkive kërkuan lirimin e këtyre ambienteve dhe largimin e materialeve zgjedhore. Por pati përplasje me policinë e Rendit që ruan KZAZ-të në bazë të një vendimi të KQZ-së që vijon me përgatitjet për procesin zgjedhor.

Në Kukës dhe në Burrel ishin përplasjet më të mëdha. Militantët së bashku me administratën e bashkive përkatëse, mësynë në KZAZ duke marrë materialet zgjedhore dhe duke i vënë flakën. Në Kukës me një kamionçinë në të cilën lidhën kavo, tërhoqën me forcë derën e KZAZ-së në një palestër gjimnazi, dogjën goma dhe qëlluan me gurë efektivët e forcave speciale vendosur brenda KZAZ-së.

Situata të tensionuara pati në Pogradec, Bilisht, Kukës, Çorovodë, Burrel, Kamëz, Berat, Klos, Gjirokastër, Dropull, Delvinë, Kavajë dhe Lezhë.

Në përgjigje të turmës, policia u detyrua të përdorë gazin lotsjellës në disa raste. Edhe në Kamëz pati përplasje mes forcave të policisë, punonjësve të bashkisë ku mbetën edhe të lënduar nga përplasjet dhe gazi.

Lexo këtu cfarë ndodhi dje në Shkodër, Tropojë, Kamëz dhe Lezhë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:50
Policia mbron me 'trup' KZAZ në Kavajë, protestuesit largohen të shpërndarë

Rezistenca e forcave të rendit të vendosur përreth shkollës '3 Dëshmorët'  e cila shërben si KZAZ nr. 42, ka penguar militantët e PD të cilët kanë tentuar të mësyjnë në ambientet e brendshme të saj. Pas disa përpjekjesh ata janë larguar në mënyrë të shpërndarë për të shmangur edhe arrestimet nga policia.

Ora 21:26
Tensione në Kavajë/ Militantët e PD sulmojnë policinë me molotov

Vijojnë tensionet në Kavajë. Militantët e PD kanë hedhur molotov në drejtim të forcave të policisë.

Ora 21:00
Plas në Kavajë, Policia konfrontohet me militantët e PD-së (FOTO)

Militantë të opozitës janë përplasur fizikisht me efektivët e Policisë në qytetin e Kavajës. Për të frenuar qytetarët, Policia e Shtetit ka hedhur gaz lotsjellës, spraj dhe ujë me presion në drejtim të qytetarëve.

Ora 20:28
Kavajë/ Militantët e PD shkulin trotuaret dhe qëllojnë me gurë policët

1560968779_GURE.jpg

Situata paraqitet shumë e tensionuar në KZAZ nr.42 në qytetin e Kavajës. Mbështetës të PD-së kanë qëlluar me gurë drejt efektivëve të policisë. Siç raporton gazetari i Report Tv, Artur Korriku, kanë mbetur të lënduar disa punonjës të policisë, por nuk ka ende një numër të saktë. Nuk kanë munguar edhe mjetet piroteknike, ku shënjestër janë uniformat blu.

Ora 20:17
Kryebashkiaku i Kavajës nxjerr zjarrfikësit kundër policisë së Rendit, ujë me presion VS gaz lotjellës

Pas policëve të Bashkisë, Kryebashkiaku Isa Sakja ka nxjerrë në terren kundër policisë së Rendit edhe forcat zjarrfikëse. Ato janë vendosur para  gardhit rrethues të shkollës, e cila shërben si KZAZ nr.42  për t'iu kundërpërgjigjur ndaj policisë me ujë në momentin kur ndaj militantëve hidhet gaz lostjesllës. Në pamje shihet teksa zjarrfikëset 'bëhen' krah me militantët për të sulmuar forcat e rendit. Janë filmuar edhe teksa ndihmojnë me ujë militantët të shpëlajnë fytyrën duke shmangur efektet e gazit lotsjellës.

Ora 20:13
'Shpërthen' në Kavajë/ Militantët mësyjnë në KZAZ, policia hedh gaz lotsjellës

Militantët e PD kanë tentuar të futen me forcë në KZAZ nr. 42 në Kavajë. Policia ka shpërndarë turmën me spraj piperi dhe gaz lotsjellës. Forca të shumta të sigurisë, FNSH dhe RENEA janë vendosur në ambientet përrreth KZAZ për të rujatur sigurinë. Militantët kanë hapur me forcë gardhin rrethues të kësaj godine.

Disa militantë janë kapur nga kamerat në momentin që kanë marrë gazin lostjellës duke e hedhur në drejtim të policisë. Ata kanë hedhur edhe gurë në drejtim të forcave të sigurisë. Kjo situatë ishte paralajmëruar pasi zyrtarët e Bashkisë së Kavajës të drejtuar nga Isa Sakja i pranishëm në KZAZ vunë ultimatum duke kërkuar largimin e materialeve zgjedhore nga ambientet e shkollës '3 Dëshmorët' që shërben si KZAZ.

Ora 18:48
'Lironi KZAZ, mos u trembni se s'do i vëmë flakën godinës'/ Bashkia e Vaut të Dejës bën një hap pas

Pas ultimatumit të dhënë ditën e djeshme nga Bashkia e Vaut të Dejës, disa punonjës të administratës i janë drejtuar KZAZ-së numër 6-të. Situata ishte krejtësisht ndryshe nga ajo çfarë u krijua mbrëmjen e djeshme në Shkodër, ku punonjës të Bashkisë dhe militantë të PD-së mësynë në shkollë dhe i vunë flakë. Gentjan Ndoj me grupin e tij ishin më të zprapsur. Drejtuar uniformave blu të rreshtuar në hyrje të godinë, për të shmangur një episod të ngjashëm me atë të djeshmin, Ndoj u tha se ka ardhur për të parë nëse urdhri i Bashkisë është zbatuar, teksa theksoi se qëllimi i tyre nuk është dëmtimi i godinës, pasi ajo është e tyre.

Përfaqësuesi i Bashkisë: I jemi drejtuar me shkresë drejtorit të shkollës, edhe KQZ-së. Ne zbatojmë vetëm dekretin. Ju mos u shqetësoni ne nuk kemi ardhur për të bërë luftë me ju, mos u përgatitni për të vënë maska, se këto janë ambientet tona ne do i ruajmë më shumë se ju. Nuk kemi punë me policinë e Shtetit. I kemi bërë kërkesë zyrtare KQZ për lirimin e ambienteve deri sot në orën 16:00 dhe kemi ardhur të shohim se çfarë është bërë me urdhrat. Nuk kemi ardhur me bo shkapetje, as me i vu flakën, as me djeg kartuca. Janë ambientet tona, duhet të respektoni ligjet, jo ligjet e Denar Bibës.

Efektivi i Policisë: Unë jam në zbatim të KQZ, pasi ai është institucioni që zbaton zgjedhjet.

Përfaqësuesi i Bashkisë: Ne jemi në pritje të dekretit të ri për datën e re të zgjedhjeve. Sot ne kemi ardhur pak njerëz, janë administratë e Bashkisë së Vaut të Dejës, nuk kemi ardhur për rrëmujë. Ju garantojmë se kemi një presion të madh të tyre. Por nuk duam të djegim shkollën, se shkolla është pronë e Vaut të Dejës.

Efektivi i Policisë: Ne jemi në zbatim të vendimeve të KQZ-së nuk mund të interpretojmë ligjet. Ne jemi në ruajtje të objektit, në ruajtje të dokumentacionit të zgjedhjeve. Ju do të merrni përgjigje nga KAZ nga KZAZ.

Përfaqësuesi i Bashkisë: Ne do zbatojmë ligjet e shtetit, ju do të përballeni me ligjin për këtë që po bëni. Votime më 30 qershor në Bashkinë e Vaut të Dejës nuk ka. Nuk ka dekret për zgjedhjet. Ne jemi për të zbatuar dekretin e Republikës së Shqipërisë. Policia e Shtetit duhet të veprojë në bazë të shkresës së Bashkisë së Vaut të Dejës, nuk duhet të jetë këtu pa shkresën e Bashkisë së Vaut të Dejës, duhet të jetë mbështetje e bashkisë. Gjithsecili nga ju do të denoncohet në prokurori për veprime të paligjshme.

 

Ora 15:35
Tension dhe shtyrje, opozita në Delvinë afat deri nesër për lirimin e KZAZ-së

Pas tensioneve dhe shtyrjeve në Delvinë në KZAZ-në 87 mes punonjësve të bashkisë që drejtohet nga përfaqësuesi i LSI-së Rigels Balili e militantëve të PD-së me policinë, opozitarët i  kanë lënë afat deri nesër në orën 16:00 që të lirojnë ambientet në të kundërt situata do të përshkallëzohet, tha kryetari i PD-së, Hari Imeri. "Nuk trembemi nga banda e Edi Rames" deklaroi ai. 

Ora 13:38
'Nuk ka zgjedhje pa PD-në'/ Militantët e opozitës u vendosin zjarrin materialeve në Klos (VIDEO)

Militantët e PD-së u futën brenda ambienteve të KZAZ-së Nr. 17 në Klos duke hedhur materialet zgjedhore nga dritarja, ndërsa më pas u vendosën flakën nën thirrjet 'Rama ik', 'nuk ka zgjedhje pa PD-në'. Policia nuk ka arritur që ti ndalojë militantët e opozitës.

Ora 13:28
Lufta për KZAZ-të, Kapllanaj i Mallakastrës: Anëtarët t'i thërrasin mendjes, do i padisim (VIDEO)

Kryetari i bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj deklaroi se po përgatit një kallëzim penal për anëtarët e KZAZ-së 61, pasi sipas tij kanë shkelur ligjin duke uzurpuar një shkollë pa vendim.

"Kërkojmë lirimin e KZAZ-së, zgjedhje në 30 qershor nuk ka, nuk mund të ketë as fushatë, as qendra votimi, pasi nuk ka një datë zgjedhjesh dhe ne jemi të detyruar që të zbatojmë ligjin. Në KZAZ-në 61 ka edhe një tjetër problem, me miratimin tonë është te kinemaja, por gjatë kësaj periudhë anëtarët janë spostuar në ambientet e shkollës së mesme pa propozimin e bashkisë dhe miratimin e KQZ-në, me mendjen e tyre zaptuan shkollën.

Pranë ambienteve të kinemasë, bashkia po bën rikonstruksion, por zyra e tyre ka qenë e paprekur. Një ditë KQZ-ja na kërkoi që të merrnim masat për normalizimin e situatës, ne i kërkuam nëse donte të zhvendosej, por nuk është përgjigjur. Pas disa ditësh vetë KZAZ u spostua te shkolla e mesme, po bëjmë gati një kallëzim pena, pasi vetë anëtarët zaptuan pronën publike me mendjen e tyre, ne po presim ti thërrasin arsyes".

Ora 13:25
Debate për KZAZ-në edhe në Dropull, opozitarët: Ju po mohoni Metën, e kuptoni se cfarë po bëni? (VIDEO)

Debate dhe tensione janë shënuar edhe në KZAZ-në nr. 80 në Jorgucat, ku përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së kanë kërkuar lirimin e ambienteve nga anëtarët e KZAZ-së. Por kryetari i KZAZ-së nuk ka pranuar duke shkaktuar debate me përfaqësuesit politikë. Ahilea Deçka, kryetar i bashkisë së Dropullit i ka kërkuar kryetarit të KZAZ-së që të tregojë dokumentin ku është bazuar që është vendosur në atë godinë, pasi sipas tij ekziston një urdhër për gjetjen e një ambienti nga bashkia.

Debatet
Ahilea Decka: Shkresa është e janarit, ka vendim tjetër, s'më ka ardhur
Kryetari i KZAZ-së: Unë kam shpresën në 18 maj e keni kollaj, zyrat e KQZ i dini ku janë t'u japë kontaktin e drejtoreshës së KQZ dhe merruni.
Dasho Aliko: Dekreti i Presidentit është ligj, nuk diskutohet, pasi u botua në Fletoren Zyrtare. Ne kërkojmë shkresën zyrtare që ju keni.
Përfaqësues i opozitës: Ju po mohoni ekzistencën e shtetit, kreut të shtetit, e kuptoni se cfarë po bëni?
Vangjel Tavo: Ku e ke marrjen në administrim nga bashkia? KQZ nuk mund të futet në shtëpinë time, pronare është bashkia.

Ora 13:14
Mbyllet me marrëveshje situata e dhunshme në Kukës/ Policia heq materialet zgjedhore, zhvendoset KZAZ (VIDEO)

Pas tensioneve dhe situatës në Kukës ku zyrtarë të Bashkisë dhe militantë të PD-së, dogjën e shkatërruan KZAZ-në numër 11 të vendosur në një palestër në gjimnazin e Kukësit, policia e Rendit pas një marrëveshje me policinë bashkiake, kanë larguar materialet zgjedhore pa dhunë duke i transportuar me një furgon të policisë. Materialet zgjedhore janë kryesisht mjetet e nevojshme për të mundësuar votimin e fshehtë në një minidhomë kartoni për qytetarët.

Shqiptarja.com mëson përmes burimeve nga Policia, se kjo marrëveshje ka ardhur pas ndërhyrjes së Kukësit. Mësohet se kjo u bë për të shpëtuar materialet zgjedhore, të cilat siç Shqiptarja.com mëson do të zhvendosen në një tjetër vend qqë do të funksionojë si KZAZ por që deri më tani nuk është bërë i ditur. 

Në Kukës pati situatë mjaft të dhunshme, ku militantët dogjën gomat para KZAZ, shqyen derën e saj duke e tërhequr me kavo me kamionçinë dhe qëlluan me gurë ndaj efektivëve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin brenda KZAZ-së për ruajtjen e materialeve zgjedhore.

Ora 13:07
Përplasje dhe tensione në Berat, pas një ore qëndresë largohen militantët e opozitës (VIDEO)

Tensione ditën e sotme janë shënuar edhe në Berat mes policisë dhe përfaqësuesve të opozitës, të cilët u përpoqëm të thyejnë kordonin e policisë për të hyrë brenda ambienteve të KZAZ Nr.64 që ndodhet brenda ambienteve të Pallatit të Kulturës në Berat. Në krye të protestuesve ishte i dërguari i kryesisë së PD-së për Qarkun e Beratit, Eno Bozdo. Dhjetëra simpatizantë të PD-së tentuan të hyjnë me dhunë brenda ambienteve të KZAZ-së Berat por kanë hasur qëndresën e forcave të policisë dhe FNSH-së,që kanë rrethuar KZAZ Nr 64 dhe nuk lejuan hyrjen brenda saj. Pas një ore qëndresë militantët e PD-së dhe LSI-së u larguan.  

Ora 12:03
Militantët mësyjnë në KZAZ e Burrelit, i vënë flakën materialeve zgjedhore...dhe një koshi (VIDEO)

Zyrtarë të Bashkisë së Matit kanë mësyrë në Pallatin e Sportit Ferit Hysa ku kanë marrë materialet zgjedhore brenda KZAZ-së dhe i kanë vënë flakën. Militantët shihen teksa dalin të ekzaltuar nga ambientet e KZAZ-së ku më tej në një zonë jashtë Pallatit të Sportit i kanë vënë flakët nën thirrjet "Rama ik" dhe " E duam Shqipërinë si gjithë Evropa". Në mes të flakës kanë hedhur edhe një kosh të mbeturinave. 

Ora 11:53
Dasho Aliko debat në Gjirokastër, irritohet PD-LSI: Policia nuk njeh Presidentin, ky është puç (VIDEO)

Debat dhe tensione edhe në Gjirokastër. Policia e rendit nuk ka lejuar përfaqësuesit e PD dhe LSI-së që të futen në ambientet e KZAZ nr. 78 që është vendosur te Pallati i Sportit për ta liruar. N/kryetari i bashkisë Gjirokastër Aurel Lapa kërkon nga kryetari  i KZAZ-së Roland Skëndi lirimin e ambienteve.

"Gjendja është në pozicion të kundra ligjshëm, arbitrar nga policia dhe KQZ që kanë uzurpuar një ambient publik. Në Shqipëri nuk ka zgjedhje sipas Presidentit. Kemi të bëjmë me një veprim që bie ndesh me ligjin, ata që po veprojnë sot do të mbajnë përgjegjësi.

Pronari i këtij institucioni është bashkia dhe të mos e mbajë të bllokuar për një proces të paligjshëm, të pa realizueshëm" tha Tritan Shehu. Ndërsa Vangjel Tavo tha se "Kryetarja e bashkisë i ka bërë kërkesë KQZ-ja që të lirojë ambientin pas dekretit të presidentit.

Policia deklaron se njeh KQZ-në dhe jo Presidentin. Jemi në momentet e puçit institucional. Do të rezistojmë. Nuk pretendojmë që të ndodhë ajo që ndodh në trevat e tjera, pasi jemi në Gjirokastrën e kulturës" tha ai.

Ora 11:49
Situatë e acaruar në Kukës/ Militantët ndezin kamionçinën dhe kërcënojnë të sulmojnë KZAZ-në (VIDEO)

Edhe Bashkia e Kukësit këtë mëngjes ka shprehur vendosmëri për të larguar KZAZ-të nga ambientet në administrim të kësaj bashkie, në zbatim të dekretit të Presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Në KZAZ-në numër 11 e cila është vendosur në ambientet e një palestre, militantë të PD-së në bashki, dhe simpatizantë kanë tentuar të hyjnë me forcë për të nxjerrë nga KZAZ materialet zgjedhore. Militantët kanë thyer edhe xhamat e palestrës. Ka pasur përplasje mes tyre dhe forcave të rendit, por situata më e rëndë është bërë kur militantët kanë marrë një kamionçinë dhe me të kërcënojnë të hapin me dhunë derën e KZAZ-së.

Tentohet  të shqyhet dera përmes një kabllo për ta lidhur me kamionçinën. Në këto situata me përplasje të forta, policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë hedhur gaz lotsjellës. Debate të forta ka pasur mes policisë bashkiake dhe asaj të rendit, pasi ata kanë mbërritur para KZAZ me dekretin e Metës të botuar në Fletoren zyrtare.

Në një deklaratë për mediat, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu i bëri thirrje KZAZ-ve të largohen nga ambientet në administrim të bashkisë, pasi situata sipas tij është mjaft e acaruar dhe mund të avancojë edhe më tej.

 

Ora 11:39
Tension dhe përplasje në Çorovodë mes militantëve të LSI-së dhe policisë (VIDEO)

Shënohen përplasjet e para edhe në Çorovodë, ku ndodhet KZAZ-ja nr. 66. Organizatorët e drejtuar nga LSI-ja, përfaqësuesi i së cilës drejton edhe bashkinë, u mblodhën në Çorovodë, në sallën e kinemasë të pallatin të kulturës që mban emrin Riza Cerova duke tentuar që të futen me forcë, ndërsa janë ndaluar nga policia e rendit, e cila është përplasur me militantët e LSI-së.

Ora 11:28
Përplasje edhe në Bilisht, bashkia: Lironi KZAZ-në! Policia: S'kemi urdhër nga KQZ-ja (VIDEO)

Në Bilisht gjithashtu janë shënuar incidente. Nënkryetari i bashkisë Ylli Taho,i kërkon shefit të komisariatit të lirojë ambientet e KZAZ-së 70. "Po zbatojmë dekretin e presidentit. Lironi pronën e  bashkisë. Edhe policia duhet ta zbatojë. Nuk mund ta mbani godinën ju po na zaptoni pronën" tha ai.

Ndërsa shefi i komisariatit Fejzollari u shpreh se "nuk mund të hyni në objekt. Eshtë objekt i rëndësisë së vecantë. Nuk kam njoftim nga KQZ për anulimin e zgjedhjeve. Unë di që zgjedhjet do bëhen më 30 qershor, ju thoni që nuk do bëhen. Nuk keni për të hyrë".

Anëtarët e PD dhe simpatizantët po tentojnë që të hyjnë ne ambientet e KZAZ, që ndodhet në qendrën kulturore të fëmijëve. Në gatishmëri janë forcat e rendit dhe 'shqiponjat'. 

Ora 11:25
Përplasje edhe në Pogradec, Balliu i PD-së: Largoni materialet nga KZAZ-ja (VIDEO)

Përplasje janë shënuar edhe në Pogradec midis militantëve të PD-së që kanë tentuar që të futen në ambientet e KZAZ-së 67 dhe drejtuesve të policisë. Klevis Balliu ndodhet në Pogradec, ndërsa ka deklaruar se "kërkojmë të largohen materialet nga KZAZ-ja. Eshtë shkelje ligji. Nuk ka zgjedhje deri ne vendosjen e një date tjetër për zgjedhjet. Nuk është legjitime" deklaroi ai.

Ora 11:04
Militantët e PD-së tentojnë të mësyjnë në KZAZ-në e Burrelit, policia hedh gaz lotsjellës (VIDEO)

Burrel, në KZAZ-në numër 16 që ndodhet në Pallatin e Sportit, punonjësit e policisë bashkiake dhe militantë të Partisë Demokratike kanë tentuar të mësyjnë brenda KZAZ-së. Policia e Rendit në mbrojtje të KZAZ-së brenda së cilës ka materiale zgjedhore, kanë hedhur gaz lotsjellës.

Situata është mjaft e tensionuar, ndërsa të pranishëm janë edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kanë nisur shoqërimet e para të personave më aktivë në këto situata.

Mes tyre edhe kryetari i PD-se së Matit, Arjan Leka. Ka pasur tentativë të militantëve të PD-së për të hapur me forcë derën e KZAZ-së dhe për të shkatërruar materialet zgjedhore.

Ora 09:53
Demokratët e Kavajës afat KZAZ-së: Largohuni deri në 16:00 ose do u sulmojmë (VIDEO)

Demokratët e Kavajës janë mbledhur para KZAZ-së ndërsa i kanë lënë afat deri në orën 16.00 të ditës së sotme për të larguar dokumentet në të kundërt do të sulmojnë. Report Tv sjell pamjet e momentit kur demokratët dhe militantë të opozitës së bashkuar janë mbledhur para KZAZ-së.

Ora 09:00
Dje iu vendos KZAZ-së zjarri nga PD-ja, përfaqësuesit e OSBE zbarkojnë në Shkodër (VIDEO)

Një ditë pasi militantët e PD-së i vendosën flakën KZAZ nr. 3 në Shkodër, kanë mbërritur përfaqësuesit e OSBE-së për të monitoruar situatën. Report Tv sjell edhe pamjet nga shkolla ku ndodhet KZAZ-ja në Shkodër që u sulmua dhe iu vendos zjarri.

Ora 08:51
Sulmuan KZAZ-në e Tropojës, 7 të arrestuar, 6 shpallen në kërkim

Shtatë persona janë arrestuar në Tropojë, 6 janë shpallur në kërkim dhe 5 po hetohen në gjendje të lirë pas sulmit dje në KZAZ-në e këtij qyteti që është vendosur te Muzeu. Mes të arrestuarve ka punonjës të bashkisë, por edhe militantë të PD-së, ndërsa akuzohen për “Shkatërrimi të pronës”, “Kundërshtimi të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje të materialeve zgjedhore”. Tre prej të arrestuarve janë punonjës të shërbimeve publike të sektorit të pastrim gjelbërimit në bashkinë Tropojë.

Njoftimi i plotë
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, datë 18.06.2019, ku disa shtetas kanë dëmtuar materialet zgjedhore në KZAZ Nr. 09, Bashkia Tropojë,  tek Muzeu Historik, mbas veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, arrestuan në flagrancë 7 persona, konkretisht;

-A.G., 31 vjeç, banues Bajram-Curri-Tropojë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-I.M., 50 vjeç, banues në Bujan, Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-N.N., 32 vjeç, banues në Llugaj, Tropojë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-H.Gj., 53 vjeç, banues në Tropojë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-B.P., 34 vjeç, banues në Fierzë, Tropojë,  për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

-A.G., 26 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë. Arrestimi i tij u bë pasi ka thyer vendimin e Gjykatës së Rethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka qenë me masën e sigurisë arrest shtëpie.

-A.G., 28 vjeç, banues në Cërnic, Tropojë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Janë proceduar në gjendje të lirë 5 shtetas për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas të tjerë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë.