TIRANË- Kur kanë kaluar rreth 2 javë nga dita e parë e protestës së parë në emër të drejtësisë për Klodian Rashën, është arrestuar i riu që i vuri flakën pemës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në oborrin e kryeministrisë.
Në pranga ka rënë O. Xh., 22 vjeç.
"Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit O. Xh., 22 vjeç, pasi më datë 09.12.2020, gjatë protestës së zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i ka vënë flakën pemës së Krishtlindjeve", njofton Policia.
Klodian Rasha u vra në ngjarjen tragjike të mëngjesit të datës 8 dhjetor, kur 25 vjeçari është qëlluar për vdekje me armë nga polici Nevaldo Hajdaraj. Ngjarja e rëndë solli reagime dhe protesta të shumta, të cilat degjeneruan në dhunë dhe shkatërrime në Tiranë dhe qytetet të tjera të vendit.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje dha dorëheqjen ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe në vendin e tij u emërua Bledi Çuçi. Ndërkohë, që pak ditë më parë, qeveria mori vendimin duke i siguruar 61 mijë lekë pension mujor. Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka konkretizuar akuzën për policin Nevaldo Hajdaraj duke e çuar atë përpara drejtësisë nën akuzën për "Vrasje me dashje", teksa SHÇBA ka nisur një hetim administrativ në repartin 'Shqiponja' ku do të bëhen hetime që nga rekrutimi deri te veprimet policore.