TIRANË- Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, policia arrestoi gazetarin Eljo Laze, për gjobvënie. Ishte një zyrtar i Inspektorati Shëndetësor Shtetëror, i cili bëri denoncim pranë autoriteteve, se gazetari Eljo Laze, pronar i portalit “Priza.al” i bënte shantazh përmes publikimit në kohë të ndryshme të disa lajmeve kundër tij, dhe për t’i fshirë ato, në këmbim, i kërkonte 20 mijë euro.

Burime nga grupi hetimor, thonë se, gazetari Laze, i ka kërkuar fillimisht të paguajë një këst, prej 5 mijë eurosh për të fshirë vetëm njërin shkrim. Por, gjatë kësaj faze, zyrtari me inicialet K.Sh ka bërë denoncim në prokurori, dhe nën mbikëqyrjen e hetuesve, ka bërë dorëzimin e parave, të cilat kanë qenë të regjistruara me numër serie.

Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë, gazetari Eljo Laze, u arrestua në flagrancë nga efektivët, menjëherë pasi mori 5 mijë euro nga zyrtari, të cilat u sekuestruan.

Ky episod ndodhi në zyrën e portalit që drejton gazetari Eljo Laze, e cila ndodhet në një apartament të një pallati brenda kompleksit “Kika” pranë Komunës së Parisit. Në pamjet e publikuara nga policia, shihet se gazetari është nxjerrë nga zyra e portalit të tij me pranga në duar i shoqëruar nga dy efektive gra. Atij iu sekuestruan edhe 4 celularë.

Gazetari 37-vjeçar ra në pranga dhe akuzohet për veprën penale, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.  Në portalin e gazetarit Eljo Laze, rezulton edhe tani i botuar vetëm një shkrim me akuza për punonjësin e administratës publike, i publikuar në janar të vitit 2026.

Në pamjet e shpërndara nga policia shihet dhe ambienti brenda apartamentit të përshtatur si zyrë për portalin, me disa kompjuterë. 2 prej të cilëve me qese ende të papërdorur, si dhe në tokë një valixhe dhe 2 çanta.

Në zyrën e Eljo Lazes, shihet edhe një kufi me kafe, me mbishkrimin “I love Cafe”, element që tregohet edhe kur policia sekuestroi paratë dhe gjeti 3 kafe në gota kartoni.

Policia thotë përmes një njoftimi zyrtar se “vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”.

Burime për Report Tv thonë se në prokurori ka edhe denoncime të tjera kundër gazetarit Eljo Laze, nga disa biznesmenë.

Gazetari Eljo Laze, është arrestuar më 28 maj të vitit 2021, pasi makina e tij u ndalua gjatë një kontrolli rutinë të policisë. Efektivët i gjetën në çantë një pistoletë, ndërsa rezultoi se ishte nën efektin e lëndëve narkotike. Në atë kohë, gazetari pretendoi se armën ia kishte blerë një grupi të panjohurish për 200 euro, në mënyrë të pavullnetshme sipas tij, teksa ishte duke pirë hashash në zonën e njohur si “Lapidari” në kodrat e Tiranës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:07
Në pranga për gjobëvënie, momenti kur arrestohet gazetari Elio Laze (VIDEO)

Gazetari Elio Laze është arrestuar në ambientet e zyrës së portalit Priza.Al që ai drejton. Ky është momenti kur ai është arrestuar nga policia për gjobëvënie.

“Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Pronës në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, operacioni i koduar “Portali 1”. Shantazhoi një punonjës të administratës publike, për t’i marrë 5000 euro, që të fshinte nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, arrestohet 37-vjeçari.

I arrestuari, me precedent për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohen shuma e eurove dhe 4 celularë. Shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, se ishte shantazhuar nga administratori i një portali, finalizuan operacionin e koduar “Portali 1”.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në zyrën e subjektit, në Tiranë, menjëherë pasi mori 5000 euro nga i dëmtuari, dhe u vu në pranga shtetasi E. L., 37 vjeç. Ai dyshohet se nëpërmjet shantazhit, i ka marrë punonjësit të administratës publike, shumën e eurove, për të fshirë nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, në kohë të ndryshme.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”, njofton Policia.

SI.E./A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • JOGJOBACIU: 12/02/2026 17:19

    AQ GANSTER ESHTE, SA E ARRESTOJNE POLICE FEMRA

    Përgjigju
  • Eri: 12/02/2026 15:42

    Plehra.

    Përgjigju
  • ledio: 12/02/2026 15:29

    po pse nuk ja tregoni fytyren.cdo kriminel duhet publikuar me fytyre qe ta njohin te gjithe

    Përgjigju
    • Artan Brahja: 12/02/2026 18:47

      GAZETAR???Kjo tregon se si aplikohet DETYRA e gazetarie ,edhe ato televizione dhe portale nxijne SHQIPERINE per hesap te SALIUT,dhe ka jetojne se RAMA do i japi Naim Gje qe te rrine urte.

  • Sondazhi i ditës: 10 Shkurt, 10:30

    Haga kërkon dënimin me 180 vite burg për ish-krerët UÇK, si e vlerësoni?