Ibrahim Kodra, koleksioni i rrallë në
Durrës me vepra origjinale të piktorit

Ibrahim Kodra, koleksioni i rrallë në<br />Durrës me vepra origjinale të piktorit
Ibrahim Kodra ka shumë miq të tijët në Shqipëri edhe pse nuk mund ta kenë takuar asnjëherë. Ata janë angazhuar në veprimari të shoqatës që mban emrin e Ibrahim Kodrës, ndërkohë që kanë grumbulluar edhe objekte të tijat. Që gjithsesi në Shqipëri janë ende të rralla. Para disa viteve kur Kodra ishte ende gjallë, në shtëpinë e Fadil Kodrës, kushëririt të tijë dhe shokut të fëmijërisë, që e kishte mikpritur për herë të parë pas emigracionit të gjatë koderijan në Itali, kam parë floket e Kodrës, prerë nga i ati i Fadilit.

Nën to, në një copë letër kishte të shkruar: "Mustafa Kodra. Për kujtim kam marrë flokët e Ibrahim Kodrës". I mbante si hajmali në mur në kujtim të tijë. Ai ruante edhe disa materiale origjinale të piktorit. I sollëm këto në vëmendje për faktin që sot Ibrahim Kodra ndihet gjithmonë i pranishëm me gjurmet e veçanta që la në historinë e pikturës, si një mjeshtër i padiskutueshëm i artit modern. Ibrahimi lindi në Ishëm, më 22 prill 1918 dhe u nda nga jeta më 7 shkurt 2006 në Milano. Kodra është konsideruar si piktori më i rëndësishëm shqiptar i njohur ndërkombëtarisht. 11 vite pas vdekjes së tijë dhe varrimit në Ishëm, po në Durrës gjënden disa vepra të rralla që mbajnë firmën e piktorit të madh.

Pikturat e një artisti të veçantë në korridoret e shkollës “Ibrahim Kodra ”
Pas shumë vitesh nga takimi me pikturat e para origjinale, rreth 12 mbase, ndesha përsëri një sasi pikturash të Kodrës në koleksionin me vepra origjinale të përfaqësuesit të Fondacionit Kodra, Jashar Arrëza. Një periudhë kohe ai ka kryesuar fondacionin në Shqipëri. I apasionuar pas artit të pikturës, por më së shumti pas vetë Ibrahim Kodrës. Arrëza tashmë ka në zotërim disa vepra të rralla të mjeshtrit.

ibrahim kodra

Jashari vetë është investitor. Dhe ka dhe një shkollë të mesme që e administron me emrin “Ibrahim Kodra”. Në mjediset e kësaj shkolle në qytetin e Durrësit gjenden tashmë 8 piktura origjinale të piktorit tonë të shquar Ibrahim Kodra. Këto piktuar janë të blerë në ankandet e organizuara në vendet e Europës Perëndimore. Ato kanë vlera të mëdha artistike, pasi përfaqësojne tërësinë e artistike të arritjeve të piktorit Kodra, ne përiudha të ndryshme të jetës së tij. Ndërsa disa prej tyre kanë vlera studimore mbi mënyrat e konceptimit artistik të artit të Kodrës dhe ecuris së stilizimit të tij. Kjo duke iu referuar një skice studimore të vitit 1947. Është një studim skicografik mbi proporcionet e trupit të nje femre.

Është një studim dhe vepër arti njëkohësisht. Një femër elegante nudo në tre pozicione. Në skicën tjetër në grafikë piktori ka dhënë një vajzë duke i rënë kitarës, një vegël muzikore që ai vetë e kishte pasion dhe që edhe sot ndodhet në banesën e tijë pranë pikturave që kishte në banesën e vet në Milano. Jashar Arreza, përfaqësues i Fondacionit “Kodra” në vendin tonë thotë për këto vepra se 7 janë të tijat kurse njëra i përket fondacionit Kodra, që në të dyja degët ka pronësi rreth 26 piktura të tijat. Teksa jemi duke parë pikturën me kuaj, Arrëza thotë se kjo lloj pikture është nga më të mirat e tijat dhe se pikturat me kuaj janë vetëm një numër i kufizuar i Kodrës, të realizuara me mjaft mjeshtëri dhe finesë. “Nuk e di se sa piktura të tilla ka gjithsej, por si çdo pikturë që ai ka lëvruar, cikli i pikturave me kuaj mbetet nga më të arrirat e Kodrës”, thotë Arrëza.
 
Koleksioni me pikturat e sportistëve të Kodrës
Po koleksionisti i veprave të Kodrës krenohet me një cikel të veçantë të mjeshtërit. Ai thotë se Kodra ka pikturuar gjithsej 4 futbollistë. Bëhet fjalë për piktura origjinale dhe jo për piktura të riprodhuara në sasi të limituara. Piktura që përfaqësojnë Milanin, Juven dhe Interin. Ai thotë se për këto piktura ndjehet me fat që ka arritur që ti blejë, pasi njihen vetëm 4 piktura të Kodres me sportistë, dhe për të katrën, e cila është piktura e Maradonës, ai është në proces blerjeje të kësaj vepre. “Është te një koleksionist privat në Milano”, thotë ai. “Kam tentuar për ta pasur të plotë koleksionin, dhe besoj se do të biem në ujdi për çmimin që ta blej”. Sa për kuriozitet, në Muzeun e San Siros në Milano, është një fotokopje e njërës nga këto foto, por që mban firmen origjinale të Kodrës, ndersa origjinali ndodhet në Durrës. Për këtë vepër origjinale është tentuar nga Muzeu i San Siros që të blihet, por Arrëza tregon se nuk ka pranuar ta shesë. Ai shikon me modesti koleksionin e veçantë që zotëron dhe thotë në heshtje duke i qeshur sytë se ky koleksion vetem do të ketë rritje.

ibrahim kodra
 
Miqësia me Berluskonin
Një nga koleksionuesit më të medhenj të Kodrës ëshët edhe manjati Italian Silvio Berluskoni. Ndoshta nisur nga ekzekutuesi i testamnetit te Kodrës, Fatos Fasllija, ata kane pasur një miqësi mes tyre. Kjo pasi Berluskoni ka në fondin e tijë privat rreth 53 vepra të Kodrës. Mik i Kodrës ka qënë dhe Majk Buonxhiorno. Është nje foto e Majk Buonxhiornos ku Kodra ndodhet ne skenë me gjithe Buonxhiornon dhe me këngëtarin e shquar italian të viteve 70- të shekullit të kaluar Litëll Tonin. Buonxhiorno, sipas bisedës telefonike me Fasllinë në Itali, ka pasur në koleksionin e tijë personal një pikturë të Kodrës.
 
Kodra në qeramikë dhe në gur
Në koleksionin e Arrëzës bëjnë pjesë edhe 2 vepra të vecanta të blera e të sjella pej tijë në Shqipëri. Një objekt është në qeramikë dhe është dizajnuar me ngjyrat dhe pikturë të Kodrës. Është një lloj arti që e ka aplikuar edhe piktori i madh Pikaso. Njëra faqe e skupturës në qeramikë paraqet një vajzë duke i rënë një vegle muzikore. Intersante është se Kodra vetë e preferonte shumë kitarën.

Një kushëri i tijë Fadil Kodra, personi që i bëri ftesën për të ardhur për herë të parë në Shqipëri, tregonte se si Ibrahimi kur shkonin në bregun e lumit Ishëm për të gjuajtur peshk, këndonte këngë shumë të bukura. Dhe objekti i Kodrës në qeramikë është plot ngjyra të ngrohta dhe parqet një figurë në stilin kubist, duke i rënë një vegle muzikore. Nga ngjyrat që artisti i jep figures dhe tonet që përdor në afërsi të veglës, kuptohet që po interpretohet një këngë e ngrohtë lirike. Sipër veglës muzikore, ku ai ka punuar disa rrathë që ngjasojnë si llampa të ndezura në të kuqe, në pjesën e gjoksit, jep domethënjen e një vajze të dashuruar.

Dhe ngjyrat e trendafilta e tregojnë më së miri këtë . Po ashtu edhe pjesa e pasme e qeramikes artistike është vijim i të njejtës figurë por në një paraqitje tjetër. Piktori ka zberthyer përsëri shpirtërisht vajzën tashmë me ngjyrat e përdorura edhe pjesën e parë të pikturës, duke na dhënë nje vajzë fluturake me arabeska te dykuptimta gjeometrike trekëndore, që janë mes vijave të një fustani pranveror, por edhe të një objekti mes shallit të një fustani në formë gushore si dhe të ngjashmërisë që ka ky shall plot trekendesha me një fizarmonikë, ku duket sikur tashme po interpreton nje tjetër melodi po pranverore. Një përhedhje rinore dashurie. Rrethuar me ngjyrat blu, të fiksuara mbase përmallshëm që në rini në bregdetin e bukur të Ishmit.

Si dhe ngjyrat e lehta në rozë, të lulezimit të bajameve në pranverë të cilat në Ishëm kishin një bukuri të veçantë. Në pjesën fundore të skupltures prej qeramike 2 planëshe, por që janë një unitet artistik, poshte zmaltit ndodhet firma e famëshme e Kodrës. Kur shikon një foto të mjeshtrit Kodra duke kënduar me kitarë plot pasion të duket se po i kendojnë njëri tjetrit. Kjo të shpie te historitë e shumta të dashurive të piktorit.

Ideja e një vajze të dashuruar kur i kendonte me kitarë këngë me gotën e verës në tavolinë, na sjell në mëndje një dashuri të tijën kur në studjo i shkonte modelja e bukur gjermane Regina Streker. Me të cilën pati për disa vite relacione dashurie. Një piktor i madh dhe një Kazanovë njëkohësisht. Po femrat e bukura, ndodhen prezente edhe në takimet e shumta, pasi ai ishte i perferuari i skenave sidomos në ndarje cmimesh. Një foto na sjell Kodrën me prezantueset e famëshme italiane Luiza Korna e Luana që kanë qënë valleta të Majk Buonxhiornos.

ibrahim kodra
 
Kodra në gur. Idetë fshehura në shkëmb
Objekti tjetër është prej guri. Përsëri në art abstraksionist në portretin e gurtë dallohen nepërmjet formave gjeometrike dhe një gjysëmelipsi, figura e një personi ku dallohen qarte sytë trekendorë, hunda e drejte si shtyllë, dhe buzët. Të cilat kur shikohen me vëmëndje tregojne një tjetër ide. Janë ide të fshehura brenda gurit. Art që shpërthen nga zemra e shkëmbit. Abstraksionizmi behet një realitet interesant.

Hunda është direk anije dhe dhe sytë janë vela, dhe pjesa e buzës është pjesa fundore e një anije. Kodra vetë kishte lindur në bregdet dhe gjatë tërë jetës udhëtoi. Mbase nje autoportret i gurtë. Skulptura e gurtë është punuar në Siçili, ndërsa punimi në qeramikë dhe glazurë është derdhur në Milano. Janë 2 mjeshtëra italianë të cilet kishin marrë eksluzivitetin nga Kodra për këto punime të veçanta.

Kodra ka realizuar rreth 6000 piktura gjatë jetës së tijë. Nga të cilat janë të regjistruara në muzeumet private rreth 2000 copë. Në Shqipëri ndodhet një numer mjaft i kufizuar me veprat e tija. Sipa Arrëzës, në Lugano të Zvicrës, Kryetari i fondacionit për Kosovën Bexhet Pacolli, ka formatuar një muze të Kodrës, me vepra të tijat origjinale të blera personalisht prej Pacollit.

Ibrahim Kodra
  (Fotomodelja Regina Schreker në studion e Kodrës)
Ibrahim Kodra
  (Ibrahim Kodra)
Ibrahim Kodra
  (Në konkursin Modella per arte, Kodra i ftuar nderi)
Ibrahim Kodra
  (Piktura e Kodrës për Juventus)
Ibrahim Kodra
  (Piktura e Kodrës për Milan)
Ibrahim Kodra
  ((Piktura e Kodrës për Inter)

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohen tre automjete në autostradën Rrogozhinë-Lushnje, Range Rover-i fluturon në karburant

Aksidentohen tre automjete në autostradën Rrogozhinë-Lushnje, Range Rover-i fluturon në karburant