Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Konferencën e Ballkanit Perëndimor “Avancimi i Përbashkët i Politikave të Punësimit dhe Politikave Sociale”, e organizuar në Berlin nga Ministria Federale Gjermane e Punës dhe Çështjeve Sociale (BMAS), në kuadër të Procesit të Berlinit.
Konferenca shënoi lançimin zyrtar të Planit të Përbashkët të Punës për Punësimin dhe Politikat Sociale për vendet e Ballkanit Perëndimor (WB6), një dokument dyvjeçar që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal, avancimin e reformave të tregut të punës dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Ministrja Ibrahimaj ishte pjesë e Panelit I me temë: “Nxitja e punësimit: strategji efektive për tregje pune të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, ku ndau prioritetet dhe reformat e Shqipërisë në fushën e punësimit, zhvillimit të aftësive dhe modernizimit të politikave aktive të tregut të punës.
Në fjalën e saj, Ministrja theksoi rëndësinë e përputhjes së aftësive me nevojat e tregut të punës, rritjen e aksesit në programe trajnimi dhe ndërmjetësimi, si dhe forcimin e efikasitetit të shërbimeve publike të punësimit. Ajo vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve, grave dhe grupeve vulnerabël në tregun e punës, përmes instrumenteve të dedikuara dhe masave që reduktojnë barrierat e punësimit.
Duke u ndalur tek procesi i reformave, Ministrja Ibrahimaj nënvizoi rolin e inovacionit dhe digjitalizimit në modernizimin e politikave të punësimit, rritjen e konkurrueshmërisë dhe ofrimin e shërbimeve më të aksesueshme dhe efektive për qytetarët dhe bizneset.
Gjithashtu, Ministrja evidentoi rëndësinë e forcimit të Inspektoratit të Punës dhe standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë, përmes ndërtimit të kapaciteteve institucionale, digjitalizimit të proceseve të inspektimit dhe ndërgjegjësimit mbi të drejtat e punëmarrësve.
Në kuadër të Procesit të Berlinit, Shqipëria rikonfirmoi angazhimin e saj për të luajtur një rol aktiv dhe udhëheqës në avancimin e reformave të tregut të punës dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në rajon. Ministrja Ibrahimaj theksoi se bashkëpunimi rajonal, shkëmbimi i praktikave më të mira dhe koordinimi me partnerët europianë dhe organizatat ndërkombëtare janë thelbësore për zbatimin efektiv të Planit të Përbashkët të Punës.
Konferenca mblodhi ministra dhe përfaqësues të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni Europian, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe institucione të tjera europiane e ndërkombëtare.
Komente









