Ida Kraja, ndër aktoret
e pakta të profilit komik

Ida Kraja, ndër aktoret<br />e pakta të profilit komik<br>
1. Ajo grua rreth të 69-ve që e takova gati një dekadë më parë (tashmë ka disa vite që ka ndërruar jetë), me lëvizjet e zhdërvjellta që bënte, me sytë e zinj që i ndritnin përherë, me humorin që me sa dukej e kishte karakteristikë të natyrës së saj; tregonin se ende jetonin vitet e vajzërisë… Por kur vuri gjyslykë, nuk e di pse m’u duk si një gjyshe (ajo gjyshja e bukur, si çdo gjyshe, që kërkonte fëmijët “t’i stoliste” me diturinë magjike të përrallave dhe të ëndrrave përrallore). Thashë me vete, pa guxuar t’i them Ida Krajës, njërës ndër aktoret e para të lëvizjes amatore të qytetit tim (Shkodrës), se qenka e vështirë të sfidosh pleqërinë… E qeshura jote e pastër si një qiell i kaltër e sfidon…

2. M’u kujtua një frazë nga tregimet e librit “Vdekja e magjistares” i shkrimtarit të talentuar Kim Mehmeti, të cilin dua ta perifrazoj: “… unë kisha dëshirë t’i kujtoja fëmijërinë, ndaj i vardisesha me pyetje të më tregonte.” Dhe Ida nisi kështu: “Kam lindur më 13 prill të vitit 1926 në Shkodër. Në këtë shtëpi që së bashku po zhvillojmë këtë bisedë. Këtu kam kaluar fëmijërinë, rininë, këtu jam martuar dhe, po këtu po e kaloj pleqërinë... (qesh) “Eh, - psherëtin Ida, e pastaj vazhdoi: - Kujtimet janë të shumta…”

3. Në klasën e parë kishte mësuese murgeshat Emilia e Stenla Koladën. Më pas kalon në Shkollën Shtetërore. Kujton me respekt mësueset e klasës së pestë: Liza Ashiku e Luçije Serreqi (poete për fëmijë). Përsëri kthehet në Shkollën Stigmatine, ku kryen kursin e ultë të parë e të dytë. Në fund mbaron Institutin femëror “Donika Kastrioti”, ku diplomohet mësuese.

4. Kujtime nëpër vite…

*”Ishte festa e Kshndellave. Pa i marrë leje askujt, hipa në podiumin e Betlemit dhe nisa të recitoj vjershën “O Krisht i vogël, o Krisht i lumë…” Papritmas më kapi për dore padër Anton Kiri e më tha: “Je një vajzë shumë e zonja! Do të bëhesh një recituese e mirë!”

*”Babanë tim, Tishin, e kam pasur komik. Nxirrte bejte “qit e prit”. Unë nuk i largohesha prehërit të tij, kështu që shpesh nxirrja edhe unë ndonjë bejte të vogël. Pastaj edhe vëllezërit e motrat e mia nuk më linin rehat. Duke parë aftësitë e mia për recitim; shfletonin libra, gjenin vjersha dhe më “detyronin” t’i recitoja…”

*”Me maturanët e Pedagogjikes po bëja një orë letrare. Tregimin e kisha inskenuar. Bile kisha kontroll edhe nga Ministria e Arsimit. Kur mbarova orën e mësimit, njëri nga anëtarët e ekipit m’u afrua dhe më pyeti: “Keni luajtur ndonjëherë në skenë?” Iu përgjigja: “Kur kam qenë e vogël kam luajtur në pjesët: “Shtatë xhuxhat dhe Borëbardha”, “Sherret e një vajze”, etj. Ai përsëri vazhdoi: “Ju keni prirje të bëheni aktore. Atje e keni vendin. Mos e harroni këtë porosi…”

M’u kujtua, përsëri, babai im, Tishi, kur e mbështetur në supin e tij nxirrja nga një bejte të vogël dhe… sigurisht m’u kujtua edhe padër Anton Kiri.

*”Në melodramën “Dasma shkodrane” që u dha më 15 shtator 1947, me autor dhe regjisor Artistin e Popullit Andrea Skanjeti, kisha një rol shumë të lezetshëm, atë të shkueses. Roli më shkoi mirë. Në momentin kur nënës së vajzës (të cilën e interpretoi Luçije Fani) do t’i jepja paratë, nga lart shkëputet një copëz dërrase dhe më bie në kokë. Ashtu mes dhimbjeve, unë vazhdoja të interpretoja fjalët e tekstit: Paska qenë sahati i hajrit! S’ka dhandërr ma të mirë se të kam ba! Paska kenë sahati i hajrit!” Kështu u mbyll roli im.

*Në pjesën “Ishulli i paqes” të J. P. Petrov, që u shfaq në vitin 1949, paraqita tipin e një gruaje llafazane, por që kishte një burrë plak (interpretuar nga Artisti i Merituar Adem Kastrati). Si sot e mbaj mend... Ishte momenti kur do të interpretoja një monolog të gjatë, tepër të gjatë. Ademi si komik diç më foli. Unë qesha aq shumë sa s’mbaja dot të qeshurën. Vazhdoja të interpretoja. Por e qeshura vazhdonte… Spektatori nuk kuptoi gjë. T’ju them të drejtën, në ato çaste, pse t’ju gënjej, e ndjeva veten aktore të vërtetë…”

*”Më pyetët për fëmijërinë, për rolet që kam interpretuar, por kam dëshirë, edhe pse në këtë moshë pleqnie, të kujtoj shoqet e mia të viteve të rinisë, që së bashku kapërcyem muret e fanatizmit, bashkë provuam emocionet e sukseset e roleve të njëra-tjetrës. Kujtoj dramën “Emira” të V. Prendushit. Regjisor ishte Ludovik Kiri. Atëhere ishim në Shkollën e Murgeshave Stigmatine. Data ishte 23.02.1935.

Kështu më vjen ndër mend Agetina Daija, edhe pse ishte një tip i mbyllur, rolet ashtu në heshtje i nxirrte mirë, Albina Dajçi e shkathët e me një intuitë fëminore të cilësuar, Mici Deda edhe kjo e shkathët, Marije Rranxi që luajti shumë role por më pas iu kushtua sportit, Marije Deda në rolin e harapeshës në dramën “Juvenilja”. Mbase mund të kem harruar edhe ndonjë shoqe… Por… ju e kuptoni që kanë kaluar shumë vite. Edhe një gjë dua të kujtoj. Është fjala për rolin tim të fundit. Dhe ishte ai i Madërgonës tek drama me të njëjtin titull të Andrea Skanjetit. Isha në rolin kryesor. E dashurova shumë! Por… fatkeqësisht nuk i dhashë aq shumë jetë në skenë, sepse pikërisht në ato ditë më vdiq nëna. Pikëllimi im qe shumë i madh, aq i madh sa “u përshëndeta” me skenën, për ta harruar përgjithnjë atë… Ishte e dhimbshme për mua! Por… kështu… qenka jeta…”

Në vend të mbylljes 
Ida vazhdoi jetën e mësuesisë. Po si mësuese, doli në pension. Që ajo të mos harrohej apo të bëhej harrim i vetvetes, pas shumë e shumë vitesh pata rastin ta takoj e të bisedoj me Idën, për të evidentuar vlerat që dha ajo në lëvizjen amatore teatrore, si dhe për të kujtuar se, Ida interpretoi edhe në dramën “Nën gështenjat e Pragës”. Për personazhin që aktroi, me vërtetësi e dallueshmëri paraqiti pasionet e flakta që kishte kjo grua për bashkëshortin e saj ushtarak (roli i interpretuar nga Gjovalin Çarkaxhia). Pas shfaqjes, regjisori Andrea Skanjeti i thotë: Mendoj që ti, Ida, rolin e ke zbërthyer drejtë.

Ajo duke qenë kërkuese ndaj vetes, edhe në një rol episodik që kishte te drama “Portreti” i A. Afinogiekov, që u shfaq në nëntor të vitit 1945 në kinema “Rozafat”, i dha suksesin e duartrokitjet e spektatorit.

Në të gjitha pjesët që interpretoi, të cilat u vunë në skenë nga Andrea Skanjeti, regjisori në ditarin e tij për Ida Krajën do të shkruante: Është ndër aktoret e para të grupit amator teatror të Shtëpisë së Kulturës, qe ndër të paktat e profilit komik. (Shkodër, shtator 2017)

[gallery]24874[/gallery]

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë

Mos harroni çadrat! Reshje shiu dhe temperatura deri në 14 gradë