Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj u shpreh gjatë një konference për shtyp këtë të hënë se hetimet për identifikimin e autorëve të grabitjes në pistën e aeroportit të Rinasit kanë shënuar hapa para. 

I pyetur nëse është zbuluar identiteti i një prej autorëve, Hodaj tha se ka të dhëna domethënëse në këtë drejtim, duke mos dhënë detaje të mëtejshme. 

"Kur them janë bërë hapa domethënëse besoj se hetimi ka përparuar", u shpreh Hodaj.  

Ndërkohë, burime pranë policisë thanë për Shqiptarja.com një ditë më parë se një prej autorëve të grabitjes është një 37-vjeçar me inicialet A.P. 

Emri i tij është zbuluar për shkak të gjurmëve që janë gjetur te parukja që u gjet pranë vendit ku autorët i vunë flakën makinës. Ndërsa Shqiptarja.com ka bërë të ditur edhe më herët se janë identifikuar autorët dhe policia ndodhet pranë arrestimit të tyre. 

Gjithashtu, bëhet e ditur se pas grabitjes ai ka dalë jashtë Shqipërisë dhe fshihet në një vend të BE-së.

Policia dhe Prokuroria janë drejt zbulimit edhe të dy autorëve të tjerë, por ende nuk bëhen të ditur emrat.