Kristian Preçi, është një djalë i ri i cili kishte dalë nga burgu vetëm pak ditë më parë. Fatkeqësisht ai u nda nga jeta si pasojë e tërmetit të fuqishëm që tronditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Kristiani ishte banor i Thumanës, zonës që u godit më shumë nga tërmeti, me tre pallate totalisht të shembur, nën rrënojat e të cilëve u gjetën viktima, ashtu sikundër pati edhe lajme të mira për të shpëtuar brenda atyre rrënoja.
Por Kristiani nuk pati atë fat. Ai ndërroi jetë në Kurbin, pasi kishte dalë me makinën e tij nga paniku i krijuar nga tërmeti. Ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur për vdekje.
Avokati i tij tha se Preçi kishte vuajtur dënim duke qenë i pafajshëm. "Sot humbi jetën nga tërmeti Kristian Preçi banor i Thumanës, klienti im që fitoi pafajësinë pas 5 muajsh burgim të padrejtë. Ngushëllim familjarëve, qoftë i parajsës. Kristiani ishte një djalë i mrekullueshëm. Iku shpejt", shkruan avokati.
Ndërkohë një 32 vjeçar, Ersid Hoxholli, i ndjerë në panik pas tërmetit në tentativë për t'i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, u hodh nga ballkoni i katit të tretë.
Lajmi kryesor:
Situata dramatike në Thumanë/ Ende persona nën rrënoja, nxirren nga shembja e pallatit nënë e bir të pajetë (VIDEO)
Evi Kardashi dhe hoteli i shkatërruar pas tërmetit
Mes viktimave nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë është edhe Evi Kardashi, e cila ishte balerinë në hotelin 'Mira Mare' që u shemb totalisht nga lëkundjes sizmike të mëngjesit. Ajo mbeti brenda hotelit dhe u gjet pas disa orëve kërkime e vdekur nën rrënoja. Evi, ishte nga Tirana dhe banonte në zonën e "Astirit" në kryeqytet, ndërsa siç thanë dëshmitarët, asaj i ishte shembur banesa nga projekti i "Unazës së Re".
"Pronari i restorantit 'Mira Mare' është hedhur nga penxherja, u ka thënë punëtorëve dilni se po këputet pallati dhe thonë se kanë zënë banakierin mbi 40-vjeç, më duket se është nga Korça edhe dy balerina, njëra u nxor e vdekur. Vajza që u nxor e vdekur thonë se ishte kameriere, banonte te Astiri në Tiranë i prishën shtëpinë. Një banakier nga Fieri shpëtoi. Ky djali që shpëtoi ka qenë te dhoma 101. Hoteli rrinte hapur 24 orë" tha anjë dëshmitar për Report Tv.
Një ngjarje e dhimbshme është shënuar në Thumanë, ku viktimë e lëkundjeve të tërmetit mbeti edhe një fëmijë. Në pamjet e sjella nga gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, shihet teksa një burrë mban në duar fëmijën e pajetë, ndërsa pas tij me barrelë transportohet trupi i një tjetër të pajeti të nxjerrë nga rrënojat.
Një fëmijë dhe një grua nuk i kanë mbijetuar tërmetit. Trupat e tyre janë nxjerrë të pajetë nga forcat e kërkim shpëtimit në zonën e Kënetës në Durrës. Pritet të mësohet identieti i tyre, ndërkohë që vijojnë operacionet për shpëtimin e dhjetra personave të tjerë që dyshohet se janë nën rrënoja në Thumanë dhe Durrës, dy zonat më të prekura.
Rëndohet edhe më shumë bilanci i viktimave nga tërmeti në Shqipëri. Raportohet se në Durrës, në lagjen numër 13 është gjetur një persona i pajetë. Ai është nxjerrë nga rrënojat e shembjes së një godine, pas operacionit të kërkimit. Ndërtesa e shembur ndodhej pas hotel Lubajnës në Durrës, e cila gjithashtu pësoi dëmtime nga lëkundjet sizmike 6.4 ballë me epiqendër në Detin Adriatik. Raportohet se nën rrënoja janë edhe dy persona të tjerë, për të cilët është duke u punuar nga forcat speciale për tu nxjerrë, me shpresën se do të jenë gjallë.
Fatkeqësisht tërmeti i fuqishëm që lëkundi Shqipërinë në orën 3.55 të mëngjesit të sotëm ka shënuar viktimën e parë në Thumanë të Fushë-Krujës. Një skenë tragjike, përlotëse dhe rrëqethëse. Një gjyshe ka humbur jetën e zënë nën rrënoja nga shembja e një pallati, ndërsa në prehrin e saj mbante nipin. I vogli është nxjerrë gjallë nga të afërm dhe forcat zjarrfikëse.
Ata kanë qenë në gjumë dhe nuk kanë mundur të ngrihen në kohë për t'i shpëtuar tërmetit duke u zënë nën rrënoja. Situata më problematike paraqitet pikërisht në këto tre pallate në zonën e Thumanës.