Situata dramatike në Thumanë/ Ende persona nën rrënoja, nxirren nga shembja e pallatit nënë e bir të pajetë (VIDEO)

THUMANË -  Shqipëria është me sytë nga Thumana dhe Durrësi aty ku janë shënuar dhjetëra viktima si pasojë e tërmetit të fuqishëm që tronditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte. Në Thumanën e Fushë-Krujës u shemben thuajse totalisht tre pallate 5 katësh, duke lënë nën rrënoja njerëz të pajetë. E trishtë ishte pamja e ofruar teksa një gjyshe kishte ndërruar jetë nën rrënoja ndërsa në prehrin e saj mbante nipin e vogël, i cili fatmirësisht doli gjallë nga forcat e shpëtimit. Një grua, një burrë, një vajzë, një foshnje, e të tjerë, të cilët ende nuk  janë identifikuar, u ndanë tragjikisht nga jeta nga lëkundjes e njëpasnjëshme sizmike, ajo më e forta 6.4 ballë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:02
Një lajm i mirë nga Thumana! Del nga rrënojat një gruaja, më herët iu shpëtua bashkëshorti

Një lajm shprese vjen nga Thumana. Një grua është shpëtuar pas më shumë se 16 orëve nën rrënoja. Lindita Cara ishte nën rrënoja së bashku me bashkëshortin e saj i cili u shpëtua më herët dhe fëmijët, fati i të cilëve nuk dihet ekzaktësisht. Lindita Cara, ishte motra e një burri i cili tërhoqi vëmendjen sot, i cili me një kovë në kokë nisi kërkimet vetë për të shpëtuar motrën e tij.

Ora 17:20
Sapo kishte ardhur nga Anglia, i riu bashkë me prindërit nën rrënojat e tërmetit/ Xhaxhai: Do pres derisa të lëvizet guri i fundit

Një familjar i banorëve të bllokuar nën rrënojat e banesave në Thumanë ka treguar për Report Tv se vijojnë të presin të shpëtohen edhe një çift bashkë me djalin e tyre që kishte ardhur nga Anglia dy ditë më parë. Ai tha se nuk di asgjë për fatin e tyre ndërsa u shpreh se do të vijojë të presë për ta derisa të rrëzohet edhe guri i fundit.

"Kemi vëllanë nënë rrënoja Hajredin Çupi, bashkëshorten dhe djalin që ka ardhur nga Anglia. Jemi në pritje. Djali tjetër ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet se në çfarë gjendje janë. Kemi ardhur këtu për 20 minuta nga Vora po nuk kemi komunikuar me to. Janë këputur shkallët dhe nuk kanë mundur të dalin. Tani ata i zënë rrënojat poshtë. Nuk kemi asnjë informacion akoma. Presim. Zoti e di atë punë se atë nuk e ka bërë robi. Nuk kemi ku të shkojmë. Kur të lëvizet edhe guri i fundit i pallatit ne këtu do jemi", u shpreh familjari.

Ora 14:03
Shpresë për djalin nga Thumana...ende asgjë për fatin e familjarëve

Mikel Çupi ka dhënë shenja jete, pavarësisht 10 orëve të tmerrit nën rrënoja në një nga pallatet e shembura në Thumanë. Vëllai i tij është shpëtuar në orët e para të mëngjesit, ndërsa nuk dihet ende për fatin e prindërve të tyre. Mikel Çupi kishte vetëm dy ditë që kishte ardhur në Shqipëri pranë familjes së tij, nga Anglia ku edhe jeton.

Një tjetër familje deri më tani është pa asnjë informacion. Robert Vata ka arritur të shpëtojë, ndërsa motra e tij u nxor e pajetë. Ende nuk dihet asgjë për pjesën tjetër të familjes.

Ora 13:51
Rastësia e trishtë/ Polici nga Thumana kthehet në shtëpi për të shpëtuar nënën e bllokuar nën rrënojat e tërmetit

1574772725_polici.jpg

Një rastësi e trishtë ka bashkuar në ditën e tërmetit një polic me fatin e nënës së tij, e cila ka mbetur e bllokuar në banesën e saj në Thumanë, e cila është shembur si pasojë e tërmetit. Polici është pjesë e skuadrës së shpëtimit të Forcave speciale që prej mëngjesit të dërguar në Thumanë për të shpëtuar banorët e bllokuar. Ai është përfshirë në operacion për të shpëtuar pikërisht nënën e tij fati i së cilës ende nuk bëhet e ditur, por edhe të banorëve të tjerë.

Ora 12:55
Ndodh mrekullia/ 9 orë pas tërmetit, i riu nxirret i gjallë nga rrënojat e pallatit në Thumanë

9 orë nën rrënoja, një person është nxjerrë i gjallë nga forcat ushtarake. Ai kishte mbetur nën rrënoja që prej orëve të mëngjesit. Pas finalizimit me sukses të operacionit për shpëtimin e tij, ai është dërguar në spital për të marrë edhe ndihmën e parë mjekësore. I riu është djali i Bert Carës, 57-vjeçari që u shpëtua pak orë më parë, ndërkohë që nën rrënoja vijojnë të qëndrojnë nëna dhe tre fëmijë të tjerë të Carës.

Ora 10:51
Shkatërrohet banesa në Bubq, shpëtojnë mrekullisht çifti i bashkëshortëve: Më tërhoqi burri jashtë (VIDEO)

Lëkundje të forta kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në fshatin Bubq pranë Prezës. Banesa e Besim Bardhit në këtë fshat është shkatërruar e gjitha. Fati ka dashur që çifti i bashkëshortëve që ndodheshin brenda të shpëtonin.

Ora 10:19
Thumanë, banori i bllokuar nxirret LIVE i gjallë nga rrënojat e pallatit, gruaja dhe fëmijët ende të bllokuar (VIDEO)

Një mision shpëtimi është realizuar LIVE në transmetim. Bert Cara 57-vjeç i cili kishte mbetur i bllokuar në rrënojat e katit të dytë në një pallat në Thumanë ka nxjerrë kokën teksa forcat ushtarake po gërmonin për të hequr barrierat bllokuese të cilat kanë mbuluar edhe të tjerë persona gjendja te cilëve ende nuk dihet.

Misioni për shpëtimin e tij ka zgjatur për disa minuta. Ai ka pësuar disa dëmtime në kokë, ndërsa duket se gjendja e tij shëndetësore është e rënduar. Ndërkohë të bllokuar nën rrënoja vijojnë të jenë gruaja dhe 4 fëmijët e tij.

"Bert Cara, ka gruan dhe katër fëmijët. Është rreth 57 vjeç, edhe gruan në një moshë ndërsa fëmijët nën 30-vjeç. Brenda i bllokuar është edhe Kastriot Cakoni bashkë me gruan Faten", u shpreh i afërmi i Carës.

Gjatë gjithë kohës familjarët e tij kanë qëndruar pranë forcave të ushtarake dhe janë përlotur, nga kjo situatë. Banori është transportuar me barrelë drejt spitalit, për të marrë edhe ndihmën e nevojshme mjekësore.

1574760182_thumana.jpg

Ora 10:00
Nëna, motra dhe mbesa tij bllokohen nën rrënoja, banori në Thumanë vë kovën në kokë dhe ndihmon në misionin e shpëtimit (VIDEO)

Në misionin për shpëtimin e jetëve në Thumanë janë angazhuar edhe familjarët e personave të mbetur nën rrënoja. Një prej tyre ka treguar se motra, nëna dhe mbesa e tij kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja. Ai tha se nëna dhe mbesa nuk reagojnë.

"Kam motrën. Ajo reagon por nëna dhe mbesa jo. Tre veta janë brenda. Motra quhet Lindita Cara", u shpreh banori. Ai është afruar me një kovë në kokë pranë dhomës ku kanë mbetur të bllokuara familjaret e tij.

Ora 09:24
Një fëmijë, i sapoliruari nga burgu, një polic dhe një gjyshe krah nipit deri në vdekje! Jetët e këputura nga tërmeti

Kristian Preçi, është një djalë i ri i cili kishte dalë nga burgu vetëm pak ditë më parë. Fatkeqësisht ai u nda nga jeta si pasojë e tërmetit të fuqishëm që tronditi Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Kristiani ishte banor i Thumanës, zonës që u godit më shumë nga tërmeti, me tre pallate totalisht të shembur, nën rrënojat e të cilëve u gjetën viktima, ashtu sikundër pati edhe lajme të mira për të shpëtuar brenda atyre rrënoja.

Por Kristiani nuk pati atë fat. Ai ndërroi jetë në Kurbin, pasi kishte dalë me makinën e tij nga paniku i krijuar nga tërmeti. Ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur për vdekje.

Avokati i tij tha se Preçi kishte vuajtur dënim duke qenë i pafajshëm. "Sot humbi jetën nga tërmeti Kristian Preçi banor i Thumanës, klienti im që fitoi pafajësinë pas 5 muajsh burgim të padrejtë. Ngushëllim familjarëve, qoftë i parajsës. Kristiani ishte një djalë i mrekullueshëm. Iku shpejt", shkruan avokati.

Ndërkohë një 32 vjeçar, Ersid Hoxholli, i ndjerë në panik pas tërmetit në tentativë për t'i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, u hodh nga ballkoni i katit të tretë.

Ora 09:19
'Shyqyr o zot...', momenti kur gruaja nxirret nga rrënojat në Thumanë, shpëtohet edhe një burrë! Një tjetër gjendet i pajetë (VIDEO)

Një grua rreth është nxjerrë nga rrënojat e pallatit në Thumanë. Ajo është e qujatur Manjola dhe ka patur plagë të rënda por fatmirësisht ka reaguar dhe ka komunikuar.  Ndërkohë po ashtu është shpëtuar edhe një burrë rreth 40-vjeç. 

Fatkeqësisht nga rrënojat eshte nxjerrë i pajetë edhe trupi i një personi, ende të pa identifikuar.  Kështu numri i viktimave vetëm në Thumanë shkon në 3.

Forcat e shpetimit po punojne me 4 fronte ndërhyrje.

Ora 08:58
Çfarë mbeti në tre pallatet në Thumanë, dera e vetme e 'paprekur' mbetet në ajër

Qyteti i Durrësit dhe i Thumanës janë dy zonat më të prekura nga tërmeti tragjik që ra orët e para të mëngjesit të sotëm. Në Thumanë janë shembur totalisht 3 pallate. Report Tv sjell pamjet e asaj çfarë ka mbetur nga pallatet e shembura. Ashtu siç shihet në foto në katin e fundit të njërit prej pallateve ka mbetur lartë vetëm dera që duke i ka rezistuar lëkundjeve.

 

Ora 08:43
Shtatë përsona nën rrënoja në Thumanë japin shenja jete, komunikojnë me forcat speciale

Në Thumanë, ku është dhe zona më dramatike me pasojat më të mëdha, dyshohet që të paktën 7 persona të jenë nën rrënojat e pallateve të shembur. Sipas informacioneve nga terreni, ata kanë dhënë shenja jete pasi ka folur në tentativë për të kërkuar ndihmë. Forcat Speciale që ndodhen në terren janë duke punuar me kujdes të veçantë për të pasur fatin e mirë dhe për të nxjerrë të gjallë personat nën rrënoja. Deri më tani në Thumanë të Fushë-Krujës dy gra u nxorrën të pajeta, të zëna poshtë nga pallati i shembur, ndërsa janë shpëtuar deri më tani 5 persona, të cilët kanë mundur t'ia hedhin, duke dalë gjallë nga rrënojat. Jo vetëm dëme fizike, të gjithë po kalojnë momente të vështira edhe psikologjike në këtë gjendje shoku që ka prekur gjithë vendin pas lëkundjes së fortë sizmike në 03:55 të mëngjesit, 6.4 ballë. Burime për Report Tv bëjnë me dije se tre emrat nga personat që janë përgjigjur janë, Çimi, Pëllumb dhe zonja me emrin Mira.

Ora 07:48
E gjakosur dhe e përlotur, situata dramatike në Thumanë...Vijojnë kërkimet nën rrënoja (FOTO)

Në Thumanë është situata më dramatike. Tre pallate të shembura, nga rrënojat e të cilëve deri më tani janë nxjerrë dy gra të vdekura.

Të tjerë banorë janë nxjerrë të gjallë, siç dëshmohet edhe në këtë foto. Një grua e gjakosur, e lënduar, e përlotur dhe e traumatizuar nga tërmeti, teksa të tjerë i qëndrojnë afër për ta qetësuar. Ndërkohë vijojnë kërkimet nën rrënoja për të gjetur të tjerë persona.

Ora 06:22
Situata dramatike në Thumanë përmes FOTOVE dhe VIDEO

Në Thumanë është situata më dramatike nga lëkundjet e njëpasnjëshme të tërmetit që prekën Shqipërinë, ku më i fuqishmi ishte 6.4 ballë.

Në Thumanë për fat të keq dyshohet të ketë përsona nënë rrënoja, pasi janë shembur tre pallate. Fëmijë, të moshuar, gra e vajza, janë zënë nënë rrënoja teksa kanë qenë në gjumë dhe nuk e kanë ndjerë tërmetin e rënë në orën 03:55 të mëngjesit të së martës. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja