Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi takimin elektoral në njësinë nr. 7 në Tiranë, përpara qindra simpatizantëve. Takimi u çel me prezantimin e programit të PDIU-së për pushtetin vendor, të hartuar nga një grup studiuesish të rinj që kanë përfunduar në universitete prestigjoze të huaja gradat shkencore. Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi theksoi se PDIU është tashmë një parti mbarëkombëtare dhe e madhe, e cila ka afruar në gjirin e saj çdo shqiptar patriot.

"Unë jam i bindur se me mbështetjen tuaj, duke na dhënë forcë, ne do të kemi një rezultat spektakolar në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë. Unë jam i bindur për këtë prej asaj që shoh çdo ditë, sepse ne e kemi kapërcyer tashmë idenë e partisë së vogël, idenë e partisë së çështjes çame. Sot, ne jemi parti e të gjithë shqiptarëve nga Dibra, Kukësi, Tropoja, Konispoli e kudo që ka dhe rreh zemër shqiptari. Ka qenë pikërisht ky vokacion kombëtarist për t'i parë shqiptarët bashkë, që e ka bërë Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet një parti të madhe e të fuqishme, ku çdo ditë afrohen njerëz që kanë të njëjtin mendim me ne, njerëz që mendojnë se besimi te Zoti, dinjiteti, integriteti është ajo çka janë themelore në jetën e njeriut dhe në veçanti në rrjedhat e një kombi, siç është kombi shqiptar." - tha z. Idrizi.

Ai theksoi se kauza e PDIU-së është një kauzë e drejtë dhe mbarëkombëtare. Ndaj, i bëri thirrje çdo qytetari të Tiranës të përkrahë PDIU-në, duke e votuar nr. 34 më 21 qershor.
 
"Kauza jonë është një kauzë e drejtë, është një kauzë që e përqafojnë çdo ditë shqiptarët, është një kauzë e çdo shqiptari. që e do kombin, që e do Atdheun, që e do pronën, do vlerat e familjes dhe mbi të gjitha do besimin në Zot. Do të doja t'ju kërkojë me shumë sinqeritettë votoni listën e kandidatëve tanë, të votoni listën e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të votoni nr. 34, sepse ne kemi djem dhe vajza që do të dinë të përgjigjen me besim dhe me mirëbesim votës tuaj" - tha z. Idrizi.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)