Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) ka vendosur të mos miratojë propozimin e Arsene Wenger për ndryshimin e rregullit të pozicionit jashtë loje, i njohur si “Ligji i Wenger”, pas mbledhjes së mbajtur të martën në Londër.
Sipas propozimit të ish-trajnerit francez, një sulmues nuk do të quhej më në pozicion jashtë loje nëse të paktën një pjesë e trupit të tij do të ishte në linjë me mbrojtësin e fundit. Ideja synonte të favorizonte lojën sulmuese dhe të krijonte më shumë hapësira, por hasi në kundërshtime të forta.
Propozimi u refuzua nga UEFA dhe katër federatat britanike (Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut), të cilat e cilësuan ndryshimin si tepër radikal dhe potencialisht problematik për fazën mbrojtëse. Në anën tjetër, FIFA ishte e gatshme ta mbështeste për ta bërë lojën më sulmuese.
Megjithatë, IFAB la derën të hapur për testime të mëtejshme dhe njoftoi se rregulli i ri do të provojë më gjerësisht në disa kompeticione, duke përfshirë edhe Premier League në Kanada.
Gjatë takimit u shqyrtuan edhe opsione të reja për përmirësimin e VAR-it dhe reduktimin e kohës së humbur në ndeshje. U aprovua përdorimi opsional i VAR-it për korrigjimin e vendimeve të pasakta në goditjet nga këndi, me kusht që ndërhyrja të bëhet menjëherë dhe pa ndërprerje të gjatë të lojës. Sugjerimi erdhi nga shefi i gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina.
Gjithashtu u mbështet ideja që VAR-i të përdoret në rastet e kartonit të dytë të verdhë që çon në përjashtim nga loja, si dhe në situatat e penalltive të humbura.
Sa i përket menaxhimit të kohës, u diskutuan rregulla më të rrepta për rivëniet anësore dhe goditjet nga porta, ku tejkalimi i një numërimi të caktuar mund t’ia kalojë mbajtjen e topit ekipit kundërshtar.
Një tjetër pikë diskutimi ishte edhe trajtimi i lojtarëve të dëmtuar. Propozimet për largimin e tyre nga fusha për trajtim ende nuk gjetën mirëkuptim të plotë, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth kohëzgjatjes së këtij procesi. Megjithatë, u përmend mundësia që zëvendësimet të kryhen brenda 10 sekondave, me qëllim shmangien e vonesave të panevojshme.
Komente







