Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar sërish lidhur me shpalljen "person non grata" të Ikballe Hudutit. shqiptares nga Kosova që shquhej si ithtare e ish-Liderit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, dhe e cila protestonte në Tiranë kundër qeverisë.

Bashkangjitur videos ku Huduti duket se flet me superlativa për Khamanein, si dhe për kryeministrin Albin Kurti, Lamallari shkruan se shpallja e saj person i padëshirueshëm në Shqipëri nuk do të thotë se qeveria po përndjek protestuesit kundër saj, por masë ndaj "çdo urrejtje nxitës dhe ekstremist".

Gjithashtu, Lamallari shkruan se "një turp më vete edhe përzierja e emrit të kryeministrit të nderuar të Kosovës në përroin psiqik të kësaj zëdhënëseje të një shteti të shpallur me konsensus shtet terrorist nga Kuvendi i Shqipërisë".

Postimi i plotë i Besfort Lamallarit:

Mos merremi me protestuesit?!

Jo! Jo vetëm nuk merremi me asnjë protestues si i tillë, por përpiqemi t’i dëgjojmë të gjithë ata që janë sinqerisht të shqetësuar.

Por patjetër që do të merremi me çdo urrejtje nxitës dhe ekstremist, si kjo zonja që bindjet e saja mund t’i mbajë për vete jashtë Shqipërisë të paktën 15 vitet e ardhshme!

Sepse në Shqipërinë vend anëtar i #NATO-s dhe së shpejti pjesë e Bashkimit Evropian, nuk ka vend për khameneizmi është baraz me terrorizmin, ekstremizmin, obskurantizmin!

Një turp më vete edhe përzierja e emrit të kryeministrit të nderuar të Kosovës në përroin psiqik të kësaj zëdhënëseje të një shteti të shpallur me konsensus shtet terrorist nga Kuvendi i Shqipërisë.